Tema të tjera...
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se projektligji për vlerat e luftës çlirimtare të Kosovës pritet të procedohet javën e ardhshme për miratim në Qeveria e Kosovës. Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, Hoti tha se ministria tashmë ka nisur punën dhe është në fazën e përfundimit të koncept-dokumentit, i cili do të përmbledhë të gjitha çështjet kryesore që do të trajtojë ligji. Ai theksoi se pas aprovimit në Qeveri, dokumenti do të kalojë në procedurat e mëtejshme ligjore deri në miratimin final. Megjithatë, paralajmërimi i radhës për këtë ligj vjen pas pritjeve të gjata dhe mungesës së hapave konkretë ndër vite, ndërsa shumë kategori të dala nga lufta vazhdojnë të kërkojnë trajtim institucional dhe mbrojtje të dinjitetit të kontributit të tyre. Për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe pjesëtarët e luftës, mbetet të shihet nëse kësaj here premtimi do të shndërrohet në veprim real.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
