Vazhdon aksioni “Për Malishevën e pastër” ndihmojnë edhe kompanitë private

Ka vazhduar edhe sot aksioni i pastrimit “Për Malishevën e pastër”, këtë herë në fshatrat Carrallukë, Shkarashnik dhe Tërpezë e Poshtme, ku përveç institucioneve dhe qytetarëve, një rol të veçantë kanë pasur kompanitë private që po kontribuojnë në largimin e mbeturinave inerte të grumbulluara ndër vite.

Aksionit i ka prirë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, i shoqëruar nga drejtorë komunalë, asamblistë lokalë, njësia e “Ekoregjionit” në Malishevë, si dhe qytetarë, nxënës e mësimdhënës. Megjithatë, vëmendje e veçantë në këtë aktivitet i është kushtuar angazhimit të kompanive private, të cilat në mënyrë vullnetare kanë vënë në dispozicion mekanizmin dhe resurset e tyre për largimin e mbeturinave inerte nga hapësirat publike.

Ky bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të suksesit të aksionit, pasi pikërisht mbeturinat inerte janë problemi më i madh mjedisor në shumë zona.

Në fillim të aktivitetit, nënkryetari Krasniqi mbajti një ligjëratë për nxënësit mbi rëndësinë e mbrojtjes së ambientit, duke theksuar se edukimi dhe vetëdijesimi janë çelësi për ndryshim afatgjatë. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për kompanitë që po kontribuojnë në këtë proces.

“Falënderojmë kompanitë private për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, jo vetëm sot, por gjatë gjithë këtij muaji. Aksioni për largimin e mbeturinave inerte do të vazhdojë deri në pastrimin e plotë të të gjitha zonave të ndotura”, u shpreh Krasniqi.

Ai theksoi se synimi i komunës nuk është vetëm të shpallet si një ndër komunat më të pastra, por që kjo pastërti të ruhet në mënyrë të qëndrueshme përmes angazhimit të përbashkët.

“Synimi ynë është që jo vetëm të kemi një ambient të pastër, por ta ruajmë atë vazhdimisht, pasi kjo është jetike për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”, shtoi ai.

Aksioni “Për Malishevën e pastër” po vazhdon të dëshmojë se kur bashkohen institucionet, qytetarët dhe bizneset, rezultatet janë konkrete dhe të qëndrueshme, duke dhënë një mesazh të fortë për përgjegjësi të përbashkët ndaj ambientit.

Kontrolloni gjithashtu

U përkujtua dëshmori Kemajl Azizi

Në 27-vjetorin e rënies heroike të dëshmorit të kombit, Kemajl Azizi, Kryetari i Komunës së …