Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj nisjes së votimit për presidente me vetëm 64 deputetë të pranishëm në sallë, duke e cilësuar këtë si gabim të rëndë kushtetues. Sipas Gashit, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe në raundin e parë të votimit duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë. Në raundin e parë të votimit, kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, një votë u shpall e pavlefshme, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë. Pas kësaj, seanca u shty për të martën në ora 10:00. “Standardi kushtetues ekziston dhe është i padiskutueshëm: pa pjesëmarrjen e numrit të kërkuar të deputetëve, procesi është zero. Ajo që u bë është e gabuar, politikisht e papërgjegjshme dhe juridikisht e paqëndrueshme”, ka shkruar Gashi. Ai theksoi se institucionet nuk mund të ndërtohen mbi shkeljen e Kushtetutës dhe se pas këtij votimi procesi duhet të shpallet i dështuar. “Në këto rrethana, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike është shpallja e datës së zgjedhjeve të reja dhe rikthimi i legjitimitetit të plotë institucional”, ka deklaruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
