Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka mohuar se ka mbështetur kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për presidente, Feride Rushitin. Ky reagim erdhi pasi Rushiti deklaroi se për kandidaturën e saj kishte marrë mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, duke përmendur veçanërisht “ambasadën angleze”. Nga ambasada britanike u tha qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e kandidatëve për postin e presidentit në Kosovë. Sipas tyre, propozimi i kandidatëve është përgjegjësi ekskluzive e partive politike. “Mbretëria e Bashkuar nuk ka mbështetur asnjë kandidat të caktuar dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratë. Ambasada u bëri thirrje partive politike që të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën. Po ashtu, kërkoi që proceset politike dhe zgjedhore të zhvillohen në mënyrë konstruktive dhe me respekt reciprok. Rushiti kishte deklaruar se me ambasadën britanike bashkëpunon prej vitesh dhe se kishte marrë inkurajim për kandidimin. Ndërkohë, afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit ka përfunduar pa rezultat.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
