Artan Behrami: Alarm për shkelje serioze në Hagë

Një raport i organizatës “Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit” ka ngritur shqetësime të thella mbi funksionimin e gjykatës speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve. Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar ish-deputeti i PDK-së, Artan Behrami, i cili e cilësoi raportin si një kthesë të madhe në procesin që po zhvillohet në Hagë, ku prej më shumë se pesë vitesh ndodhen në paraburgim ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas Behramit, raporti evidenton shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe procedurave gjyqësore, duke ngritur alarmin për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor në këtë institucion. Ai theksoi se një dokument i tillë duhet të tërheqë vëmendjen e shteteve që financojnë këtë mekanizëm ndërkombëtar të drejtësisë. “Bëhet fjalë për një organizatë shumë serioze që njihet për fakte të verifikuara. Ky raport duhet të shërbejë si alarm për të gjithë ata që mbështesin këtë gjykatë”, është shprehur ai. Publikimi i këtij raporti pritet të ndikojë në debatin ndërkombëtar për kredibilitetin dhe standardet e drejtësisë në Hagë, në një kohë kur procesi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së mbetet një nga çështjet më të ndjeshme politike dhe juridike për Kosovën.

Kontrolloni gjithashtu

Numërohen 65 për qind të votave, këta janë 10 më të votuarit nga PDK-ja, LDK-ja LV-ja dhe AAK-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar 65.01 për qind të numërimit të kandidatëve për deputetë. …