Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit dhe raportin e publikuar nga një organizatë britanike për të drejtat e njeriut, i cili ngrit shqetësime për funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Në reagimin e saj, OVL-UÇK rikujton se ndër vite ka ngritur vazhdimisht shqetësime për proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përmes takimeve me institucione ndërkombëtare, ambasadorë të shteteve mike, përfaqësues të parlamenteve evropiane, si dhe përmes protestave dhe peticioneve qytetare. Sipas organizatës, raporti i fundit ndërkombëtar që trajton çështje të të drejtave të njeriut në kuadër të këtyre proceseve gjyqësore, përbën konfirmim të shqetësimeve të ngritura prej tyre ndër vite. OVL-UÇK vlerëson se këto zhvillime dëshmojnë nevojën për vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj standardeve të gjykimit dhe trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se drejtësia selektive dhe standardet e dyfishta nuk mund të garantojnë besim në procesin gjyqësor. Organizata i ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të marrin seriozisht këto gjetje dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Në fund, OVL-UÇK ka ritheksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe dinjitetit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
