Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar një mekanizëm të ri kontrolli për procesin e numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e manipulimeve të mundshme. Sipas zëdhënësit Valmir Elezi, ndryshimet janë bërë në Rregulloren për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke shtuar mundësinë që KQZ-ja, pas pranimit të materialeve zgjedhore, të vendosë rinumërimin e votave deri në 10 për qind të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme. Megjithatë, institucioni nuk ka ndryshuar kriteret për angazhimin e komisionerëve. Rregullorja aktuale ndalon përfshirjen e personave të dënuar me vendim të formës së prerë në tre vitet e fundit, por nuk e përjashton automatikisht pjesëmarrjen e personave që janë nën hetime. KQZ ka miratuar një rregullore të re për vëzhguesit e zgjedhjeve, e cila ndalon certifikimin e personave që janë të dënuar ose nën hetim për shkelje zgjedhore. Ndryshime janë bërë edhe në procesin e votimit jashtë vendit. Sipas rregullores së re, nëse në një qendër votimi në ambasadë apo konsullatë regjistrohen më pak se 50 votues, votimi fizik nuk do të zhvillohet, ndërsa votuesit do të kalojnë automatikisht në votim përmes postës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
