Enver Hoxha

Sadik Halitjaha: VLERËSIM I VEÇANTË DHE MAKSIMAL PËR SHKRIMIN E PROF. AHMET QERIQIT

Ahmet Qeriqi: Politika në Shqipëri ka frikë ta pranojë të vërtetën për Enver Hoxhën.

Në këtë shkrim, autori shpreh hapur dhe guximshëm konstatimet e veta, bazuar në situatat dhe rrethanat në të cilat veproi dhe udhëhoqi Enver Hoxha.

Autori, Ahmet Qeriqi, bën një krahasim shkencor, ideologjik, politik dhe gjeopolitik, duke shpalosur zhvillimet e asaj kohe në dy blloqet ekzistuese: bllokun socialist-komunist të Lindjes dhe bllokun kapitalist të Perëndimit.

Kur këto dy sfera politike u ndanë nga fuqitë e mëdha, Shqipëria mbeti, sipas atyre vendimeve, në bllokun e Lindjes. Dashur apo pa dashur, Enver Hoxhës iu desh të bënte përpjekje maksimale për të krijuar shtetin shqiptar – një Shqipëri të pavarur, me kufij të sigurt dhe me sovranitet e integritet të pacenueshëm.

Si mund ta bënte ndryshe këtë, kur atëherë Shqipëria nuk kishte kufij të mbrojtur? Nëse do të përpiqej ta shkëpuste Shqipërinë nga Lindja, qartë do të ishte e kotë, sepse nuk do të mundej. Kush do ta siguronte se Perëndimi do ta pranonte dhe ndihmonte?

Ishte Evropa ajo që e kishte ndarë Shqipërinë në pesë pjesë. Po ajo Evropë i përkrahte luftërat e fqinjëve për copëtimin e saj gjatë Luftës së Parë Botërore. Kufijtë nuk mund të mbroheshin askund. Greqia kishte pushtuar jugun, e ndihmuar nga Franca, ndërsa me rikthimin e monarkisë greke në pushtet, edhe Anglia ndihmoi hyrjen e forcave greke në tokat shqiptare.

Italia kishte pushtuar Vlorën, Sazanin dhe bregdetin shqiptar të Adriatikut. Jugosllavët pushtuan Kosovën dhe Iliridën dhe u futën drejt Durrësit. Malazezët synonin Shkodrën. Ishte në pikëpyetje ekzistenca e shtetit shqiptar.

Një gabim në rreshtim apo një tentativë për dalje nga aleanca antifashiste do të sillte pasoja fatale: Shqipëria do të copëtohej edhe më shumë, ose nuk do të ekzistonte fare si shtet.

Enver Hoxha luftoi, planifikoi, organizoi dhe fitoi Luftën Antifashiste. Më pas mori pushtetin, ndërtoi institucionet, krijoi ushtrinë, milicinë dhe administratën shtetërore. Shqipëria e re u ngrit mbi një popull të varfër, me mbi 90% analfabetizëm, pa infrastrukturë, pa arsim, pa shëndetësi, me sëmundje si malaria dhe pa mundësi bazike jetese.

Enver Hoxha e përqafoi ideologjinë socialiste – qoftë si zgjedhje apo si imponim i rrethanave – dhe e përdori atë si mjet për mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai krijoi një model të vetin të socializmit, duke mos u përshtatur me deformimet e vendeve të tjera.

Kjo u dëshmua edhe me daljen nga Pakti i Varshavës dhe prishjen e marrëdhënieve me Kinën.

Nën udhëheqjen e tij, Shqipëria u bë një shtet i izoluar, por i sigurt dhe i paprekshëm nga fuqitë e mëdha. Edhe armët më të avancuara nuk arritën ta frikësojnë apo pushtojnë vendin.

Sa i përket burgosjeve dhe vrasjeve gjatë regjimit, autori argumenton se nuk mund të bëhen krahasime të thjeshta me periudha të tjera historike, pasi konteksti dhe rrethanat kanë qenë të ndryshme.

Gjithashtu përmenden përpjekje të shumta të shërbimeve të huaja – si CIA, MI6 dhe UDB-ja jugosllave – për destabilizimin e Shqipërisë dhe eliminimin e Enver Hoxhës. Përmenden operacione konkrete dhe tentativa për infiltrime, sabotime dhe atentate.

Sipas këtij vlerësimi, Enver Hoxha arriti t’i përballojë këto sfida falë strukturave të sigurisë dhe intuitës së tij politike.

Në fund, autori thekson edhe lidhjen e fortë kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke përmendur zhvillimet e viteve ’80 dhe përgatitjet strategjike për mbështetjen e Kosovës.

Prandaj, sipas këtij këndvështrimi, një studiues dhe vizionar si Ahmet Qeriqi nuk mund të shkruante ndryshe. Shkrimet e tij konsiderohen si një testament kombëtar.

Lavdi të pavdekshme Ahmet Qeriqit!

Kontrolloni gjithashtu

Labinot Dervishaj: Profesor Ahmet Qeriqi të nderohet si Hero Kombëtar

Sadik Halitjaha: Shkrimet e Prof. Ahmet Qeriqit të lënë pa frymë deri në leximin e fjalës së fundit!

Shkrimet e Prof. Ahmet Qeriqit të lënë pa frymë deri në leximin e fjalës së …