Abdyl Hajredini: PORTRETI KRIJUES I AHMET QERIQIT

Na kujtohet mirë përkufizimi i sintagmës ‘’Rilindje Kombëtare’’ e cila definohej kështu: Me fjalën Rilindje Kombëtare kuptojmë luftën për çlirim nga Turqia dhe aktivitetin kulturor e letrar që atë e shoqëroi. Ishte fjala për Periudhën e Letërsisë së Romantizmit. E, ky përkufizim i shkon fort mirë Profesorit Ahmet Qeriqi. Pra e tërë veprimtaria jetësore e tij ishte lufta për çlirim nga Serbia dhe vepra letrare, publicistike e historike që ai e krijoi. Menjëherë do të theksoj edhe orientimin e veprimtarisë së tij aktive si vazhdim i idealistëve të Rilindjes Kombëtare si dhe atë krijuese.   Pra, Ahmet Qeriqi ishte Rilindës modern i përkushtuar për çështjen kombëtare dhe ishte realist në angazhimin e tij praktik dhe kulturor me veprën që la pas. Kur them kështu mendoj për angazhimin e tij qysh në vitet 70 të shekullit të kaluar për përhapjen e idesë për çlirim, qoftë edhe me luftë çlirimtare. Ky aktivitet i kushtoi me burgosje e persekutime nga pushtuesi. Si shumë bashkëkohës të tij, represioni e burgu nuk e zbrapsi. Përkundrazi, nga persekutimi e burgu ky doli më i fortë dhe duket sikur u motivua për të vepruar e krijuar veprat më të mira siq do të shihet më vonë. Veprimi i tij vendimtar u duk me kyçjen e drejtpërdrejt në UÇK si pjesëmarrës aktiv në fushën e informimit në Radion Kosova e Lirë.

Nga veprimtaria e tij letrare mund të hetohet se Ahmet Qeriqi ishte një erudit i klasit të parë, thjesht, intelektual i vërtetë. Fushat e dijes të cilat do të manifestohen në krijimtarinë e tij janë: Historia, gjuhësia, arkeologjia, folklori,  antropologjia, politika dhe mbi të gjitha shkenca e letërsisë. I tërë ky bagazh dijesh do t’ia mundësojë atij që idetë t’i transformojë artistikisht dhe kështu kodi i mesazheve të realizohet estetikisht në mënyrë të përkryer.

Me veprën e tij ëndërra për liri shndërrohet në kod etik. Dhe ky kod etik është përmbledhës i të gjitha mendimeve e veprimeve që si emërues të përbashkët kanë kodin e ekzistencës së qenies shqiptare. E tërë kjo përmbajtje shpërfaqet në diskursin filozofik, sociologjik e letrar në veprat e tij, të cilat do t’i realizojë pas mbarimit të luftës. Te autor të ndryshëm shpesh hetohen krijime të cilat përcaktojnë orientimin ideor apo karakterin utilitar të një vepre apo tërë krijimtarisë së tyre e që ndryshe cilësohen si krijime programatike. Te Ahmet Qeriqi duket sikur krejt vepra e tij mëton ta luaj këtë rol. Për nga motivi ajo shquhet për patriotizëm të mirëfilltë duke u identifikuar edhe si kusht ekzistencial i qenies shqiptare, por edhe si vlerë etike universale.

Për nga prosedeu, veprat e Qeriqit mund të klasifikohen si publicistike, historike dhe letrare. Për fat të keq, e tërë krijimtaria e tij nuk është shqyrtuar nga kritika letrare dhe si pasojë, nga historianët e letërsisë nuk i  është caktuar vendi meritor në nivelin e krijimtarisë bashkëkohore. Kështu, kjo krijimtari nuk është e njohur nga çarqet akademike si objekt studimi në fakultetet përkatëse e as në nivelin arsimit të mesëm. Vlen të përmendet se romanet e tij me temë historike meritojnë të krahasohen me shumë vepra të shkrimtarëve shqiptarë që tashmë janë në planet mësimore të arsimit në Kosovë e Shqipëri.

Nga veprat publicistike shquhet seria shkrimeve për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ‘’Feniksët e Lirisë’’, e botuar në 19 pjesë. Këto shkrime në njëfarë mënyre mund të konsiderohen edhe si ‘’Enciklopedia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’’.

Ahmet Qeriqi ka qenë artist i vërtetë. Në kushtet e pushtimit kur atij nuk i lejohej ta ushtronte detyrën e mësuesit të letërsisë, u detyrua të punonte si mjeshtër i zdrukthëtarisë.  E kam parë njëherë se si bënte gdhendjen e drurit. Më dukej sikur druri ndjente ‘’kënaqësi’’ që kishte rënë në dorën e tij!!!  Por, mbi të gjitha, ai ishte artist i fjalës. Ja një fragment i prozës së tij letrare:

‘’……………………………………………………………………..’’

(Nga romani ‘’Burgu’’, fq. 13

Ahmet Qeriqi ka qenë modest, madje tepër modest. Autori i këtij shkrimi ka tentuar dy herë ta promovoj nga Drejtoria për Arsim e Kulturë në Shtime këtë krijues meritor para opinionit: një herë për t’ia promovuar romanin ‘’Burgu’’ dhe herën tjetër për t’ia dhënë Çmimin ‘’Pena e Artë’’ për krijimtari letrare. Asnjërën nuk e ka pranuar nga modestia dhe nga qëndrimi i tij personal për të mos u dukur ‘’i madh’’ para popullit,  për të cilin bëri dhe dha gjithçka që mundi dhe që kishte.

Po cili është opusi i krijimtarisë së Ahmet Qeriqit?

Po i paraqesim në këtë shënim të shkurtër:

  1. Varri nizamit (tregim), 1978;
  2. Meditime në arrati (memoare), 2002;
  3. Në gjurmim të lashtësisë (studim), 2002;
  4. Milush Kopiliqi (histori), 2003;
  5. Burgu (roman), 2004;
  6. Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimi – bashkë autor, (hist.), 2004;
  7. Fenomene shqiptare (studim), 2005;
  8. Luftëtarë të NDSH-së I, II,1945-1950 (studim), 2005, 2016;
  9. Krojmiri (monografi), 2007;
  10. Koha e jeniçerëve (roman), 2009;
  11. Gjurmime e studime (studime arkeologjike, folklorike, onomastik, gjuhësore), 20011;
  12. Trëndafili i bardhë (përkth. romani nga Jokai Mor, nga hungarishtja), 2013;
  13. Çlirimtarë e mercenarë (memoare, kritikë socio-historike), 2015;
  14. Januz Bajqinca me bijtë (monografi), 2018;
  15. Zëri i lirisë (memoare), 2019;
  16. Sadri Sahit Çatani (monografi). 2019;
  17. Luani i Janinës (përkthim romani nga Jokai Mor), 2019;
  18. Guri i betimit, (roman, kronikë historiko-letrare) 2020, (gjermanisht – 2023;
  19. Medreseja e Ulët e Mesme Shqiptare e Prishtinës (monogr.), 2021;
  20. Mulla Sherifi i Kizharekës (monografi), 2022;
  21. Betimi i motrës (roman), 2022;
  22. Saga e Malmirit (monografi historiko-letrare), 2025.
  23. Vegimtari (roman), 2026.

Vepra në dorëshkrim

  1. Kthimi (roman, pjesa e tretë e trilogjisë Arratia, Burgu);
  2. Fenomeni i besës ndër shqiptarët;
  3. Nëpër shekuj – kënga e popullit;
  4. Varri i nizamit (version i zgjeruar);
  5. Tal Shema dhe Jani Çupi;
  6. Kronikë lufte 1, 2;
  7. Pema e jetës (e pa përfunduar).

Vepra tjera

  1. Feniksët e lirisë (monografi) – bashkautor – 19 vëllime;
  2. Studime e gjurmime 10 vëllime, bot. nga Radio Kosova e Lirë
  3. Dhjetëra gjurmime, recensione nëpër shtypin e kohës.

Për arsye, para së gjithash, të vlerave ideoestetike, dhe, pse jo edhe të meritave e sakrificave për atdheun, vepra e Ahmet Qeriqit duhet të studiohet, të vlerësohet dhe t’i jepet vendi i merituar në Historinë e Letërsisë Shqiptare.

Dhe në fund të këtij vështrimi të shkurtër për portretin krijues të Ahmet Qeriqit, me rastin kalimit në amshim vitin e kaluar, nga dhembja dhe nga konsiderata  që kam për të si njeri dhe si krijues, ia kushtova një poezi, të cilën po ua lexoj:

IKU AHMET QERIQI

Shumë dhembje ka

Ka dhembje toka dhe qielli

Njeriu lapsi dhe letra

Kanë dhembje për njeriun e tyre

Ai erdhi e pa e s’u dha

Pat ngrënë pak bukë atdheu

Pat ngrënë helm e burg pushtuesi

Për veten për fëmijët dhe për ne

Që të mos turpërohej historia e iku

Iku e asgjë s’kërkoi as mori

Veç pak liri për vete

I dha të gjitha për atdheun

Që farë e mirë në arë të mbillet

E  bima shqip e lirë të rritet

Përjetësisht respekt dhe le të rrojë Emri AHMET QERIQI në letrat shqipe!

Kontrolloni gjithashtu

Benjamin Krasniqi: BURRË SI AI – Ahmet Qeriqin

Disa fjalë po i thuri për një burrë të rrallë si ari; formën e jetës …