Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë financiare me të cilën po përballen komunat e Kosovës, pasi vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti mbi 55 milionë euro janë marrë nga buxhetet komunale për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se pjesa më e madhe e këtyre mjeteve lidhet me obligimet që burojnë nga kontrata kolektive, ndërsa fondet janë tërhequr kryesisht nga projektet kapitale të komunave. “Edhe këtë vit, sikurse viteve të kaluara, komunat po sfidohen jashtëzakonisht nga aspekti financiar. Deri në këto katër muaj të parë të vitit, komunave iu kanë marrë mbi 55 milionë euro për zbatimin e vendimeve gjyqësore, ku shumica kanë të bëjnë me kontratën kolektive”, tha Ibrahimi. Sipas tij, pasojat do të reflektohen drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, pasi shumë projekte të planifikuara nuk do të mund të realizohen. “Shumica e këtyre mjeteve janë marrë nga vijat buxhetore të dedikuara për investime kapitale. Kjo do të thotë se shumë projekte të parapara me buxhetet komunale nuk do të mund të zbatohen dhe kjo do të ketë ndikim negativ të drejtpërdrejtë për qytetarët”, u shpreh ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
