Kosova po përballet me rrezikun serioz të humbjes së qindra milionë eurove nga Bashkimi Europian, për shkak të bllokadës institucionale dhe mungesës së progresit në zbatimin e reformave të kërkuara nga Brukseli. Sipas të dhënave zyrtare, BE-ja ka alokuar rreth 882.6 milionë euro për Kosovën, por transferimi i këtyre mjeteve lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e Agjendës së Reformave dhe funksionalizimin efektiv të institucioneve shtetërore. Komisioni Europian ka paralajmëruar se vonesat në proceset reformuese mund t’i kushtojnë shtrenjtë Kosovës. “Me përfundimin e periudhës së parë të tolerimit më 30 qershor të këtij viti për 13 hapa reformues, Kosova rrezikon të humbasë fonde nëse nuk shënon progres në zbatimin e Agjendës së Reformave”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Europian. Brukseli ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjeve dhe avancimi i reformave kërkojnë vendimmarrje të shpejtë politike, diçka që aktualisht po pamundësohet nga ngërçi institucional dhe mungesa e funksionalitetit të plotë të Kuvendit. Kjo situatë po shihet si alarm serioz për institucionet vendore, pasi fondet e parapara nga BE-ja konsiderohen jetike për zhvillimin ekonomik, investimet dhe përparimin e reformave në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
