Mungesa e Hotit dhe Bajramit në rikthimin e Osmanit në LDK ngjall reagime brenda partisë

Rikthimi i Vjosa Osmani në LDK është shoqëruar me mungesa të dukshme të disa figurave të njohura të partisë në “Tubimin e bashkimit”, ku Osmani u paraqit për herë të parë si bartëse e listës për zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Në këtë organizim nuk morën pjesë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, të cilët kanë shprehur më herët rezerva ndaj rikthimit të Osmanit në parti. Tubimi u dominua nga mesazhet për unitet dhe bashkim politik. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia po hyn në një fazë të re politike, duke lënë pas ndasitë e viteve të fundit. Nga ana tjetër, Osmani u shpreh emocionale para mbështetësve të LDK-së, duke deklaruar: “Po kthehem në shtëpinë time”. Megjithatë, rikthimi i saj ka nxitur reagime të forta brenda LDK-së. Ish-kryeministri Hoti kishte deklaruar më herët se dëmet që Osmani i ka shkaktuar LDK-së dhe Kosovës janë “të pariparueshme”, duke i cilësuar veprimet e saj si të pabesa ndaj partisë. Edhe deputetja Bajrami kishte kërkuar që Osmani fillimisht t’u kërkonte falje votuesve dhe mbështetësve të LDK-së para çdo rikthimi në parti. Osmani ishte larguar nga LDK-ja në vitin 2020 pas përplasjes me strukturat drejtuese lidhur me rrëzimin e Qeverisë Kurti 1 dhe refuzimit për të mbështetur qeverinë e udhëhequr nga Hoti. Pas largimit, ajo themeloi Listën Guxo dhe garoi në koalicion me Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021, pas të cilave u zgjodh presidente e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraqitur të dhëna lidhur me procesin e numërimit të votave me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paraqitur të dhëna lidhur me procesin e numërimit të votave …