Me rastin e 12 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, gjatë ditës së sotme është mbajtur një ligjëratë e organizuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
Në këtë aktivitet morën pjesë nënkryetari i komunës Lulzim Aliu, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Kemajl Emini, drejtoresha e QKMF-së Nadire Ymeri, si dhe mysafirë të shumtë.
Me këtë rast, nënkryetari Lulzim Aliu shprehu mirënjohje dhe respekt të veçantë për infermierët dhe infermieret, të cilët çdo ditë kontribuojnë me përkushtim në ruajtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Në fjalën e tij, ai theksoi se puna e infermierëve mbetet një nga misionet më humane dhe më fisnike në shoqëri, duke vlerësuar angazhimin, profesionalizmin dhe sakrificën e tyre të vazhdueshme në shërbim të pacientëve.
Po ashtu, nënkryetari Aliu falënderoi të gjithë profesionistët shëndetësorë për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në sistemin shëndetësor dhe në kujdesin ndaj qytetarëve.