Shqipëria përballet me rënie demografike, 2026 nis me më shumë vdekje sesa lindje

Shqipëria ka hyrë në vitin 2026 me bilanc negativ natyror të popullsisë, pasi numri i vdekjeve gjatë tremujorit të parë ka tejkaluar numrin e lindjeve. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se vendi po përballet me një tkurrje të vazhdueshme demografike, ndonëse gjatë vitit 2025 shtesa natyrore kishte mbetur ende pozitive. Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2025 në Shqipëri u regjistruan 22.541 lindje dhe 21.394 vdekje, duke sjellë një shtesë natyrore prej 1.147 banorësh. Krahasuar me vitin 2024, lindjet ranë me 3,3 për qind, ndërsa vdekjet shënuan ulje prej 3,2 për qind. Qarku i Tiranës vijon të mbetet qendra kryesore demografike e vendit, me 10.866 lindje dhe 5.483 vdekje gjatë vitit 2025. Në anën tjetër, Gjirokastra rezultoi qarku me numrin më të ulët të lindjeve, me vetëm 292 foshnje të regjistruara. Të dhënat tregojnë se vetëm Tirana shënoi rritje të lindjeve gjatë vitit 2025, me një rritje prej 20,7 për qind, ndërsa Dibra regjistroi rënien më të madhe me 37,7 për qind. Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, lindjet u rritën lehtë me 1 për qind, ndërsa vdekjet ranë me 7,4 për qind. Edhe në fillim të vitit 2026, Tirana kryeson me numrin më të lartë të lindjeve dhe vdekjeve, ndërsa qarqet më të vogla vijojnë të përballen me rënie të theksuar të popullsisë.

Kontrolloni gjithashtu

Rritet ndjeshëm numri i institucioneve dhe agjencive të pavarura që po përballen me mungesë të anëtarëve

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj ka shfaqur shqetësimin e tij për …