Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të mbetet fuqishëm e varur nga importi edhe gjatë vitit 2025, me deficitin tregtar që ka kaluar mbi 6 miliardë euro. Të dhënat e publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës tregojnë një hendek të madh ndërmjet importeve dhe eksporteve, duke reflektuar dobësinë prodhuese të ekonomisë vendore. Sipas raportit “Statistikat e Tregtisë së Jashtme të Kosovës”, eksportet gjatë periudhës janar–dhjetor 2025 kanë arritur në 942.1 milionë euro, duke shënuar rënie të lehtë krahasuar me vitin paraprak. Në anën tjetër, importet kanë kapur vlerën prej 7 miliardë e 48 milionë eurosh, ose 11.3 për qind më shumë se në vitin 2024. Si rezultat, deficiti tregtar është thelluar në mbi 6.1 miliardë euro, me një rritje prej 13.3 për qind krahasuar me vitin paraprak. Raporti tregon se eksportet mbulojnë vetëm 13.4 për qind të importeve, duke sinjalizuar përkeqësim të mëtejshëm të bilancit tregtar. Sipas OEK-së, partnerët kryesorë importues të Kosovës mbeten Gjermania, Turqia, Shqipëria, Serbia dhe Kina. Raporti evidenton se eksportet kosovare mbeten të përqendruara kryesisht në tregjet e CEFTA-s dhe të Bashkimit Evropian, ndërsa struktura e eksporteve dominohet nga metalet bazë dhe produktet prej tyre, ushqimet e përpunuara, plastika, goma dhe mobiliet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
