Për herë të parë, gjykata speciale në Hagë, ka publikuar pamje nga brenda Qendrës së Paraburgimit në Hagë, ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së. Në njoftimin e publikuar, Specialja thekson kushtet brenda burgut, duke përmendur qasjen në ajër të pastër, aktivitete sportive, vizita, shoqërim dhe shërbesa fetare për të paraburgosurit. Megjithatë, publikimi i pamjeve ka nxitur reagime dhe kritika në opinionin publik, ku shumë qytetarë e shohin këtë si përpjekje për të zbutur imazhin e një gjykate që prej vitesh po akuzohet për zvarritje të proceseve dhe trajtim të padrejtë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Specialja deklaron se paraburgimi vazhdon vetëm kur ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë te dëshmitarët apo të pengojnë procesin gjyqësor, ndërsa gjyqtarët e rishikojnë masën çdo dy muaj. Por kritikët rikujtojnë se shumë prej të akuzuarve po mbahen prej vitesh në paraburgim pa një vendim përfundimtar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e drejtësisë dhe barazisë që kjo gjykatë pretendon t’i mbrojë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
