Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Skender Hita, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Policinë e Kosovës, ku është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve të sigurisë. Gjatë takimit, drejtuesit e policive të Shqipërisë dhe Kosovës kanë diskutuar mbi sfidat aktuale të sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe aktiviteteve kriminale ndërkufitare që prekin rajonin. Sipas njoftimit zyrtar, theks i veçantë iu kushtua rritjes së koordinimit operacional, shkëmbimit të informacionit inteligjent dhe organizimit të operacioneve të përbashkëta policore. “Krimi sot është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij. Për këtë arsye, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë”, deklaroi Hita, duke e cilësuar bashkëpunimin mes dy policive si një model partneriteti në rajon. Dy palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në hetime, operacione policore dhe menaxhimin e sigurisë kufitare, duke shprehur gatishmëri për thellim të mëtejshëm të koordinimit në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
