Profesori amerikan Daniel Serwer ka theksuar raportin e ekspertëve britanikë, të cilët kanë evidentuar një numër të madh shkeljesh e problemesh në punën e Gjykatës Speciale, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të kësaj gjykate dhe standardet e drejtësisë që ajo po aplikon ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Reagimi i Serwer vjen pas publikimit të raportit rreth 100-faqësh të përgatitur nga Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit, ku evidentohen një sërë shkeljesh dhe dilemash në proceset gjyqësore në Hagë. Sipas raportit, një nga problemet më serioze mbetet paraburgimi afatgjatë i ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për të cilët raporti thekson se janë refuzuar mbi 100 kërkesa për lirim të përkohshëm. Ekspertët britanikë ngrenë dyshime se kufizimi pothuajse absolut i lirimit mund të jetë në kundërshtim me standardet evropiane për të drejtat e njeriut dhe lirinë individuale. Raporti kritikon edhe rolin e gjyqtarëve, duke theksuar se ata në shumë raste kanë vepruar përtej rolit të arbitrit neutral, duke krijuar përshtypjen e një “prokurori të dytë”. Po ashtu, përmenden takimet ndërmjet përfaqësuesve të gjykatës dhe prokurorisë, çështje që sipas raportit mund të cenojnë perceptimin e paanshmërisë. Ekspertët britanikë kanë rekomanduar krijimin e një mekanizmi të pavarur mbikëqyrës për Gjykatën Speciale, me qëllim monitorimin e vazhdueshëm të proceseve gjyqësore dhe garantimin e standardeve të drejtësisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
