Në rutinën e zhvillimeve në Kosovë zgjedhjet mbeten piketimet e mbamendjes ku ziejnë e ziejnë debatet. Patriotë e tradhëtarë, të shitur e të ligur, të gjithë të lagur!
Kjo është Kosova politike sot.
Kësaj radhe Ferizaji u bë hapja e fushatës. LVV e PDK u nisën nga fitoret e tyre. LVV me performancën e zgjedhjeve qendrore (rezultatin e marrur në zgjedhjet e fundit) dhe PDK me flamurin e fitores së zgjedhjeve lokale. LDK mbeti nën hijen e kësaj daljeje në arenë të gladiatorëve. Përballja zgjodhi aktorët. Ne na mbetet të shohim teatër.
Në hapje të fushatës u pa më pak petk politik, edhe pse fjalët nuk munguan. KM Kurti tha se, shtetin e buxhetin i kishin për të fituar. Bedri Hamza, “Bedeli i gozhduar” sikur ka ardhur, mezi artikulojë sa për të thënë se ishte e ardhmja, vet pritshmëria. Zgjedhjeve ai ua vuri vulën me pesë pikat e tij hedhur në ujin e partisë pa ngjyrë e pa shije. Në shembullin tipik të bedelit, as mish as peshk. Nuk e di e besojë ajo (Partia) këtë të fundit. Aq i bënte “Oborrit të PDK-së venitur në turli ujemi. Zëra të mekur jehonë gjysmake. Po mirë: u panë e u përqafuan, në xhepa mbajnë pritshmëri e plane.
Fushata ka dy shigjeta tashmë me helmin e hargjuar: Albini frikacak e jo UÇK që ia ka me hile vendit dhe Hajnat në emër të luftës nuk meritojnë as të quhen çlirimtarë. Dy shigjetat godasin në të njëjtin vend, në gjoksin e lavdisë UÇK-në e shpinën e lodhur të Kosovës.
Gjithçka është hargjuar, figurat, kostumet, gjuha e trupit e nëpërka e gojës. Edhe demagogjia është hargjuar. Buxheti qëndron akoma në këmbë. Blen e shet me qindarka. Mjaftushëm pë ta ushqyer kaosin. Vetëm politika rri më një anë, e lënë braktisur. Atë nuk e do asecili, nuk e përdorë , nuk shërbehet me të!
Një vend pa politika të aplikuara lëngon në kënetën e thyerjeve, përplasjeve, sharjeve e fyerjeve, në mjerimin e vet, batakun e batakçinjëve ku notojnë e sundojnë vetëm langaraqët, batakqinjtë.
Dhe ja ku jemi, në livadhin e livadhisësve ku fushata ngjason me korin bajat të bretkocave.
Në taborrin e pushtetit ka një emër Albin Kurti, tashmë për një masë të tredhurish “Albin Baba”, derisa në taborrin kundërshtar Bedri Hamza përdoret nga një kor i mjerë ku heshtja e shumicës mbyt çjerrjen e vakët të stisjes. Teatër i thyer në mes, lënë për faqe të zezë.
Qartësimi i përballjes LVV – PDK me lënjen nën hije të të tjerëve e bënë garën të përsëritshme. PDK nuk është pritshmëri e frymë. Ajo është një kaos i brendshëm në paqe me pa pasjen e një flamurtari me shpatulla lideri që do të vinte nga nxitja e brendshme. Jo pse nuk ka nga garda e saj e vjetër apo brumi shumë cilësor i ri, por se kështu do paqja e gjetur për statusquonë që pret kthimin e liderit nga Haga. Aga Ymeri edhe do të vijë. Sikur Kënga e thotë, ai do gjejë shtëpinë e rrënuar e nënën pritje në prag verbuar rëndë. Gruaja dalë nën duvak të ri. Veç lavdisë së tij tjerat do kenë shtatin e hapin e kohës.
Kjo garë agresive që në paranisjen e saj do të ketë fitues e humbës. Ajo që në nisje na tha se është një garë e blerë, e dhjerë dhe menderë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
