Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova ka humbur një mundësi të madhe strategjike në sektorin e energjisë, duke mos vazhduar projektin për ndërtimin e termocentralit të ri, i cili sipas tij do të garantonte energji elektrike me çmim të qëndrueshëm për dekadat e ardhshme. Gjatë një takimi me qytetarët në Burim, Haradinaj tha se marrëveshja e arritur gjatë qeverisjes së tij parashihte që çmimi i energjisë të mbetej 80 euro për megavat për 25 vjet, duke e mbrojtur vendin nga luhatjet e tregut ndërkombëtar. “Çmimi i megavatit do të ishte 80 euro për 25 vjet, pa u rritur. Ne kishim vendosur dy kushte: ta blinim energjinë dhe t’ia siguronim tregun, ndërsa tepricën ta shisnim. Kosova do të fitonte nga eksporti i energjisë, e jo të detyrohej ta blejë atë me çmime të larta nga jashtë. Çmimi do të ishte tre deri në katër herë më i lirë se ai që paguhet sot”, deklaroi Haradinaj. Ai kritikoi qeverinë aktuale për mosvazhdimin e projektit, duke vlerësuar se mungesa e veprimit në kohë ka ndikuar drejtpërdrejt në krizën energjetike me të cilën po përballet vendi. Sipas Haradinajt, Kosova sot detyrohet të blejë energji me çmime shumë të larta në tregjet ndërkombëtare, duke përmendur raste kur çmimi i megavatit ka arritur deri në 1.000 euro, ka deklaruar Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
