Ferit Hoxha takon Bedri Hamzën: Shqipëria mbështet konstituimin e shpejtë të institucioneve dhe rolin konstruktiv të PDK-së

Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, ku u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe sfidat që e presin vendin në periudhën e ardhshme. Gjatë takimit, Hoxha theksoi rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, duke nënvizuar se bashkëpunimi dhe përgjegjësia politike janë thelbësore për stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit. “Nënvizuam rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe nevojën për një frymë bashkëpunimi e përgjegjshmërie politike, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet, zhvillim dhe integrim evropian. E inkurajova kryetarin Hamza dhe PDK-në të vijojnë të luajnë një rol konstruktiv në ndërtimin e konsensusit politik”, ka deklaruar Hoxha. Në fokus të bisedës ishte edhe dialogu Kosovë–Serbi, për të cilin ministri shqiptar theksoi se mbetet një proces i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe përparimin e perspektivës evropiane të të dyja vendeve. Hoxha shprehu respektin dhe solidaritetin e Shqipërisë për ish-drejtuesit e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke vlerësuar kontributin e tyre historik në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe duke riafirmuar besimin në pafajësinë e tyre dhe në zhvillimin e një procesi të drejtë e të paanshëm ligjor.

 

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …