Ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi del i përfshirë në diskutimet për blerjen e Rezervave Shtetërore, sipas komunikimeve të publikuara nga Paparaci nga grupi i WhatsApp-it i zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Në mesazhet e shkëmbyera tregojnë se Bislimi ishte informuar dhe jepte sugjerime lidhur me sasitë e produkteve që planifikoheshin të bliheshin për rezervat shtetërore. Në një komunikim të datës 16 mars 2022, Hajdari përcjell qëndrimin e zëvendëskryeministrit për rritjen e rezervave të sheqerit. “E a duhet më shumë sheqer po pyet ZvKM, a dojm me shtu rezervë sheqeri”, shkruan Hajdari në grup. Pas përgjigjes së zyrtarëve se sasitë e planifikuara konsideroheshin të mjaftueshme, ajo përcjell një tjetër sugjerim që ia atribuon Bislimit: “ZvKM thotë me 1000 ton sheqer jemi stabil, mos është shumë?”, thuhet në mesazh. Një ditë pas këtyre diskutimeve, Ministria rriti sasinë e sheqerit të porositur, ndërsa më 17 mars 2022 u lëshua fatura paraprake për blerjen e 200 mijë litrave vaj dhe 120 mijë kilogramëve sheqer. Për këtë furnizim u paguan paraprakisht 276 mijë euro, por mallrat nuk u dorëzuan asnjëherë. Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, asnjëri nga zyrtarët që zhvillonin komunikimet në grupin e WhatsApp-it nuk posedonte certifikatë sigurie për trajtimin e materialeve të klasifikuara.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
