Zhvillimet e fundit politike në Ballkanin Perëndimor po sinjalizojnë një periudhë të re paqëndrueshmërie institucionale, me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe mundësi dorëheqjesh që po përmenden gjithnjë e më shpesh nga liderët e rajonit. Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka habitur opinionin publik me deklaratat e tij, duke pranuar se, mes debatit dhe reagimeve të forta që kanë shoqëruar një projekt të diskutueshëm investues, ka menduar edhe largimin nga politika aktive. Gjatë një mbledhjeje të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama foli me tone emocionale, duke lënë të kuptohet se dorëheqja ka qenë një nga opsionet që ka shqyrtuar në ditët e fundit. Në Serbi, presioni i protestave masive që po vazhdojnë prej muajsh ka sjellë gjithashtu deklarata të pazakonta nga presidenti Aleksandar Vuçiç. Gjatë një vizite në Pekin, ai nuk e përjashtoi mundësinë e largimit nga posti, duke theksuar se fundi i mandatit të tij po afrohet dhe se dorëheqja mbetet një opsion i hapur. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, skena politike u trondit nga dorëheqja e zëvendëskryeministrit Arben Fetai, një zhvillim që ka shtuar spekulimet për tensione dhe rikonfigurime të mundshme brenda ekzekutivit. Kosova, ndërkaq, pritet të hapë ciklin e ri zgjedhor në rajon. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit shihen si fillimi i një periudhe të ngarkuar politike, ndërsa mungesa e konsensusit për zgjedhjen e presidentit lë të hapur mundësinë që vendi të përballet edhe me procese të tjera zgjedhore në të ardhmen e afërt.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
