Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të eurodeputetit grek Fredi Beleri lidhur me Zvërnecin dhe përdorimin e termit “Epir i Veriut”. Në një postim publik, Balla ka theksuar se Zvërneci është pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë dhe ka kundërshtuar përdorimin e këtij termi historik, duke e cilësuar atë si një koncept të tejkaluar dhe pa vend në diskursin politik bashkëkohor. “O zotri eurodeputet Beleri, Zvërneci është në shtetin që quhet Shqipëri. Termi ‘Epir i Veriut’ ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të atyre që përpiqen ta mbajnë gjallë. Prandaj të lutem zbato emërtimet zyrtare që kërkon Parlamenti Evropian”, ka shkruar Balla. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria mbetet e angazhuar për respektimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e pronës dhe garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare, duke i konsideruar këto si detyrime kushtetuese dhe evropiane. Në reagimin e tij, Balla ka akuzuar Belerin për përdorim politik të çështjeve historike dhe për shtrembërim të fakteve, duke paralajmëruar se debati mbi këto tema do të vazhdojë në institucionet evropiane. Deklaratat e Belerit për Zvërnecin dhe “Epirin e Veriut” kanë ringjallur një debat të vjetër diplomatik dhe historik në marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke reflektuar ndjeshmëri të larta politike në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
