Demokracia në Veprim ka publikuar vlerësimin e saj për pesë ditët e para të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke evidentuar një sërë shqetësimesh që lidhen me barazinë e garës, përdorimin e resurseve publike, gjuhën e urrejtjes dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete politike. Sipas DnV-së, në këto zgjedhje garojnë 21 subjekte politike me 902 kandidatë, ndërsa vetëm 34 për qind e tyre janë gra, duke treguar se përfaqësimi gjinor mbetet ende i ulët pavarësisht ndryshimeve në listat zgjedhore. Organizata vlerëson se ofertat programore të partive politike janë kryesisht riciklim i premtimeve të mëhershme, të ripaketuara në formën e zotimeve të reja, me fokus në energji, paga, skema sociale, infrastrukturë dhe teknologji. Një nga gjetjet më kritike të raportit lidhet me përdorimin e resurseve publike para fillimit zyrtar të fushatës, ku vendimet e qeverisë në detyrë për përfitime financiare ndaj qytetarëve konsiderohen se kanë krijuar avantazh elektoral për partinë në pushtet. Gjatë vetëm pesë ditëve të para të fushatës janë identifikuar 56 raste të gjuhës së urrejtjes, shpifjeve, përmbajtjeve përçmuese dhe dezinformimit, ndërsa pothuajse gjysma e tyre kanë pasur në shënjestër gratë pjesëmarrëse në garën zgjedhore. Po ashtu, monitorimi i 152 portaleve informative ka evidentuar mbi 7 mijë komente me gjuhë të urrejtjes, një tregues që sipas DnV-së paraqet nivel shqetësues të degradimit të debatit publik online.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
