Hovenier: Reputacioni i Kosovës në SHBA ka pësuar një goditje serioze gjatë 16 muajve të fundit

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë se reputacioni i Kosovës në Uashington është dëmtuar rëndë gjatë 16 muajve të fundit për shkak të paqëndrueshmërisë politike, zgjedhjeve të përsëritura dhe bllokimit institucional.

Ai, në një intervistë për portalin Kosovo-Online, theksoi se SHBA-të presin që qeveria e re, ndër të tjera, të luajë një rol në uljen e tensioneve – si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon.

Hovenier tha se zgjedhjet e përsëritura e kanë lënë prapa Kosovën.

“Uashingtoni punon më mirë me partnerë që janë të parashikueshëm dhe të aftë të përmbushin premtimet e tyre. Ekziston edhe një kosto financiare. Kosova rrezikon të humbasë miliona dollarë ose euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe burime të tjera financimi, nëse nuk miratohen reformat kyçe, dhe kjo paralizë legjislative është pasojë e drejtpërdrejtë e bllokimit institucional”.

Prandaj, tha ai, rindërtimi i besimit “do të kërkojë shumë më tepër sesa fjalë”.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të qarta në kërkesat e saj ndaj Kosovës.

“Përshtypja ime është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë konsistente dhe të qarta në këtë çështje”, tha Hovenier.

“Ata duan një qeveri në Prishtina që do të jetë një partner i besueshëm, një qeveri që do të adresojë çështjet prioritare si forcimi i institucioneve demokratike, lufta kundër korrupsionit, zbatimi i reformave të qeverisjes që janë vonuar për një kohë shumë të gjatë dhe roli në uljen e tensioneve si brenda Kosovës ashtu edhe në rajon.”

Hovenier tha se ShBA-të kanë ruajtur një qëndrim “neutraliteti zgjedhor” në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …