E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka bërë thirrje që Kosova të ndërmarrë hapa të shpejtë për t’u përfshirë në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar këtë si një mundësi strategjike për forcimin e sigurisë energjetike dhe partneritetit afatgjatë me SHBA-në. Prattipati thekson se Kosova po përballet me sfida serioze në sektorin energjetik, pasi kërkesa për energji elektrike po rritet, ndërsa vendi vazhdon të mbështetet në importe të kushtueshme nga rajoni. Sipas saj, vetëm gjatë katër viteve të fundit, Kosova ka shpenzuar rreth 735 milionë euro për import të energjisë elektrike, ndërsa shpenzimet janë rritur ndjeshëm nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro gjatë vitit 2025. Ajo vlerëson se infrastruktura rajonale që po ndërtohet në Ballkan, përfshirë korridoret e gazit dhe terminalet e GNL-së në Greqi dhe Kroaci, krijon mundësi konkrete që edhe Kosova të lidhet me rrjetet e reja energjetike. Prattipati paralajmëron se koha për të marrë vendime është e kufizuar, pasi furnizimet amerikane me gaz natyror pritet të angazhohen në projekte të tjera rajonale deri në fund të dekadës. Sipas saj, një vonesë e mëtejshme mund ta lërë Kosovën jashtë rrjeteve kryesore të furnizimit me gaz natyror në Ballkanin Perëndimor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
