Mbi 100 prokurorë në terren, Prokuroria mobilizohet për të mbrojtur votën e qytetarëve

Sistemi prokurorial i Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara për garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe të pandikuar, duke angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të Prokurorit të Shtetit në të gjithë vendin. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorët do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, me misionin për të mbrojtur integritetin e votës dhe për të reaguar ndaj çdo parregullsie apo dyshimi për manipulim të procesit zgjedhor. Nga Prokuroria është bërë e ditur se ekipet e angazhuara do të qëndrojnë kujdestare deri në përfundimin e plotë të procesit zgjedhor, duke trajtuar dhe proceduar çdo shkelje të mundshme që mund të cenojë vullnetin e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, Prokurori i Shtetit ka bërë thirrje publike për bashkëpunim nga qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat e ndryshme, duke i ftuar që të raportojnë çdo rast për të cilin ekzistojnë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota. Ky mobilizim i gjerë i sistemit prokurorial vjen si pjesë e përpjekjeve institucionale për të siguruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të lirë, demokratike dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar mbrojtjen e votës si një nga shtyllat themelore të demokracisë.

Kontrolloni gjithashtu

Rrahman Jasharaj: Partitë premtojnë shumë për arsimin, por sfida mbetet zbatimi i premtimeve

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se …