PDK merr epërsinë në Malishevë, bastionin tradicional të Nismës

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë në epërsi në Malishevë, një komunë që tradicionalisht është konsideruar bastion i Nismës Socialdemokrate. Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të 72.22 për qind të votave në këtë komunë, PDK kryeson me 40.23 për qind, respektivisht 4,310 vota. Në vendin e dytë renditet Lëvizja Vetëvendosje me 32.62 për qind apo 3,495 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës mban pozitën e tretë me 19.04 për qind ose 2,040 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 6.24 për qind, përkatësisht 669 vota. Rezultati vjen pas bashkëpunimit politik ndërmjet PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate të udhëhequr nga Fatmir Limaj, duke reflektuar një riorganizim të forcave politike në këtë komunë. Në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, Malisheva kishte votuar ndryshe: LVV kishte dalë forca e parë me 37.47 për qind të votave (9,898 vota), e ndjekur nga Nisma me 31.17 për qind (8,236 vota), ndërsa PDK kishte siguruar 18.59 për qind (4,910 vota). Të dhënat aktuale tregojnë një ndryshim të ndjeshëm të raportit të forcave politike në Malishevë, me PDK-në që po udhëheq garën në një nga komunat më të rëndësishme për Nismën.

Kontrolloni gjithashtu

Vetëvendosja fiton bindshëm në Han të Elezit, Rufki Suma falënderon qytetarët për besimin

Ish deputeti i VV, Rufki Suma, ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore bindëse …