Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri të martën në orën 16:00, nëntë Qendra Komunale të Numërimit kanë përfunduar numërimin e votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimin e rezultateve të subjekteve politike. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi është përmbyllur në Junik, Shtërpcë, Han të Elezit, Partesh, Mamushë, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot dhe Novobërdë, ndërsa në 29 komuna të tjera numërimi po vazhdon. Deri më tani janë procesuar 902 nga gjithsej 2,498 vendvotime, që përbëjnë mbi 36 për qind të numrit të përgjithshëm të tyre. Elezi njoftoi se materialet zgjedhore nga komunat që kanë përfunduar procesin po dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ku së shpejti do të nisë skanimi i listave të votuesve. Ky proces synon të verifikojë se asnjë qytetar nuk ka votuar dy herë, para se të fillojë numërimi i votave me kusht. Ndërkohë, KQZ ka nisur edhe vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës. Sipas Elezit, nga 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete dhe në Kosovë janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime. Numri më i madh i pakove është regjistruar në Berlin me 41,561 pako, pasuar nga Berna me 23,356, Stokholmi me 4,633 dhe Parisi me 3,470 pako. Pakot që kalojnë procesin e verifikimit do të përfshihen në numërim në ditët në vijim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
