Përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke shënuar ditën e dhjetë të protestës kundër ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura dhe projektit të planifikuar në Pishë Poro–Sazan. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë, duke brohoritur thirrje si “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”. Më pas, ata marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur para godinës së Kryeministrisë, ku po vazhdojnë tubimin. Protesta, e cila nisi si reagim ndaj projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare. Paralelisht, tubime të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën dhe Vlorën. Gjatë protestave, qytetarët kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Ndërkohë, Komisioni Europian ka bërë të ditur se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me projektin në Pishë Poro–Nartë, duke kërkuar një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis dhe konsultim me shoqërinë civile.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
