Më 16 qershor 2026, Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, “Nderi i Kombit”, organizoi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë një ceremoni të veçantë me rastin e 101-vjetorit të lindjes së Akademikut, Profesor Luan Omari. Në këtë veprimtari përkujtimore morën pjesë akademikë, profesorë, juristë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, veteranë e pasardhës të veteranëve të LANÇ-it, si dhe personalitete të njohura të jetës publike shqiptare. Pjesëmarrësit vlerësuan figurën dhe kontributin shumëdimensional të Prof. Luan Omarit në zhvillimin e shkencave juridike, në jetën akademike dhe në ndërtimin e shtetit demokratik shqiptar. Ndër të pranishmit ishin Prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari, këshilltari i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Flori Karaj, politikani Petro Koçi, profesorët Fatmira Rama, Maringlen Spiro, Eqerem Yzeiraj dhe Fatmir Shehu, “Skulptori i Popullit” Muntaz Dhrami, ambasadori Jonuz Begaj, si dhe ish-studentë e bashkëpunëtorë të Profesor Omarit. Për jetën, veprën dhe personalitetin e Prof. Luan Omarit folën Kryetarja e Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ-it, znj. Vera Tarifa, Prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari, avokati Idajet Beqiri, Prof. Maringlen Spiro, Petro Koçi, Muntaz Dhrami dhe Prof. Fatmira Rama.
Në fjalën e saj, Kryetarja Vera Tarifa e cilësoi Prof. Luan Omarin një personalitet të rrallë të LANÇ-it, një intelektual dhe patriot të shquar, duke theksuar rëndësinë që Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it i kushton figurave të tilla, të cilat mbeten modele të përkushtimit ndaj atdheut, dijes dhe vlerave demokratike. Prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari, solli në vëmendje rrugëtimin jetësor dhe profesional të akademikut. Ai theksoi se Luan Omari lindi më 10 qershor 1925, në Gjirokastër, në një familje me tradita të spikatura kulturore dhe arsimore. Arsimin fillor e kreu në Bari të Italisë, ndërsa maturën në gjimnazin italian të Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike, duke u shquar si një nga juristët më të përgatitur të brezit të tij. Avokati Idajet Beqiri, ish-student i Prof. Omarit, vuri në dukje se ai është akademiku i parë shqiptar që ka kaluar një shekull jetë dhe njëherazi i fundit nga themeluesit e Akademisë së Shkencave që mbetet ende gjallë, që prej krijimit të këtij institucioni në vitin 1972. Ai theksoi se karriera e Prof. Omarit është e lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit të lartë dhe institucioneve akademike në vend. Ai ka qenë docent i së drejtës publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, profesor i së drejtës kushtetuese, sekretar shkencor dhe më pas zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave. Përtej kufijve të Shqipërisë, Prof. Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke sjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për veprën e tij në shërbim të vendit, Prof. Luan Omarit iu akordua titulli i lartë “Ylli i Artë i Veteranit të LANÇ-it”. Dekorata u tërhoq nga vajza e tij, studiuesja Anila Omari, e cila mbajti një fjalë emocionuese. Ndër të tjera, ajo theksoi: “Babai im ka qenë dhe mbetet një veteran që i ruan me fanatizëm vlerat e LANÇ-it. Dashuria për atdheun, zbatimi i ligjit dhe respekti për dijen kanë qenë dhe mbeten themeli i jetës së tij.” “Skulptori i Popullit”, Muntaz Dhrami, ndau kujtime nga takimet me Prof. Omarin, duke vlerësuar dijet e tij të thella, qartësinë e mendimit dhe shpirtin e tij të lartë atdhetar. Politikani Petro Koçi theksoi rolin e pazëvendësueshëm që intelektualë si Luan Omari kanë luajtur në jetën e vendit, veçanërisht në vitet e para të demokracisë shqiptare. Profesorët Fatmira Rama dhe Maringlen Spiro sollën kujtime nga takimet dhe bashkëpunimi me të, duke vlerësuar integritetin, urtësinë dhe nivelin e lartë intelektual të akademikut. Një moment i veçantë artistik ishte interpretimi i Grupit Polifonik “Thesaret e Labërisë”, nën drejtimin e Viktor Aliut, i cili i kushtoi Prof. Luan Omarit një këngë të bukur labe. Në këtë veprimtari të veçantë dhe mbresëlënëse, meriton një vlerësim të posaçëm puna organizative, vizionare dhe përkushtimi i drejtuesve të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij eventi pati Kryetarja e OVP të LANÇ-it, znj. Vera Tarifa, Sekretari i Përgjithshëm, z. Veli Myftari, si dhe Nënkryetari, avokat Idajet Beqiri, i cili ishte edhe nismëtari i kësaj veprimtarie. Falë angazhimit të tyre të vazhdueshëm, OVP e LANÇ-it organizon disa aktivitete çdo muaj, duke nderuar dhe promovuar figurat e shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që janë ende mes nesh, si dhe duke përkujtuar dëshmorët, heronjtë, betejat historike dhe përvjetorët e krijimit të formacioneve partizane. Këto veprimtari nuk janë thjesht ngjarje përkujtimore, por akte të rëndësishme të ruajtjes së kujtesës historike dhe të edukimit qytetar e patriotik. Ato shërbejnë për të mbajtur gjallë vlerat e larta të ndërgjegjes kombëtare, duke kultivuar te brezat e rinj dashurinë për atdheun, respektin për historinë dhe mirënjohjen ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e Shqipërisë.
Albert Z. ZHOLI
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
