Albert Z. ZHOLI: PROF. DR. KSENOFON KRISAFI, NJË JETË NË SHËRBIM TË DIJES, DIPLOMACISË DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE

Albert Z. ZHOLI: PROF. DR. KSENOFON KRISAFI, NJË JETË NË SHËRBIM TË DIJES, DIPLOMACISË DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE

– Ai po lë gjurmët e një intelektuali të përkushtuar, të një qytetari të ndërgjegjshëm dhe të një patrioti që e ka parë gjithmonë profesionin dhe dijen si mjete për t’i shërbyer vendit.

Si gazetar, gjatë 34 viteve të punës sime, më është dhënë rasti dhe nderi të intervistoj e të bisedoj me shumë prej intelektualëve më të shquar shqiptarë të të gjitha fushave, që nga Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Nano e deri te Margarita Xhepa apo Kadri Roshi etj…në art dhe kulturë. Secili prej tyre ka lënë gjurmë të veçanta në kujtesën dhe formimin tim njerëzor e profesional. Por një ndër këta intelektualë me vlera të mëdha, që ka fituar respektin dhe vlerësimin tim të veçantë, mbetet Prof. Dr. Ksenofon Krisafi. Ai është një intelektual vizionar, një personalitet i ditur dhe i ekuilibruar, një jurist me kulturë të gjerë, një diplomat elokuent dhe një qytetar me fisnikëri të rrallë njerëzore. Në çdo bisedë me të ndjen qetësinë e mendimit, forcën e argumentit dhe urtësinë e një njeriu që ka jetuar gjithmonë në shërbim të dijes dhe të interesit kombëtar.

Ka njerëz që bëhen institucion më vete…
Ta përshkruash Prof. Ksenofon Krisafin me pak rreshta është vërtet e vështirë, sepse personalitete të tilla nuk maten vetëm me detyrat që kanë mbajtur apo me librat që kanë shkruar, por me gjurmën që lënë tek njerëzit dhe në jetën publike të një kombi. Ka personalitete që nuk maten vetëm me titujt që mbajnë, me detyrat që kanë ushtruar apo me librat që kanë botuar. Ka njerëz që bëhen institucion më vete, sepse jeta e tyre shndërrohet në histori pune, dijeje, karakteri dhe shërbimi ndaj kombit. Një ndër këto figura të rralla të elitës shqiptare është pa dyshim Prof. Dr. Ksenofon Krisafi. Me Prof. Ksenofon Krisafin kam shumë kujtime, por një nga momentet më të bukura dhe më domethënëse mbetet dita kur ai u nderua me titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”. Ishte një vlerësim që vinte natyrshëm për një personalitet që me veprën, kulturën dhe përkushtimin e tij i ka dhënë nder jo vetëm Labërisë, por gjithë Shqipërisë. Në shumë takime me të kam mësuar vazhdimisht nga niveli i tij i lartë intelektual, nga logjika e kthjellët juridike, nga kultura qytetare dhe nga mënyra fisnike e komunikimit. Ai është një jurist i rrallë, një pedagog që di çfarë kërkon koha dhe si duhet të formohen brezat e rinj, një diplomat me përvojë të jashtëzakonshme dhe një atdhetar i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare.

Lunxhëri plot lezete…
I lindur më 13 qershor 1947 në qytetin e Gjirokastrës, me origjinë nga treva e njohur e Lunxhërisë, Prof. Krisafi mbart në formimin dhe personalitetin e tij gjithë urtësinë, kulturën dhe fisnikërinë e asaj treve. Lunxhëria, që populli e ka përjetësuar në këngë si një vend “plot lezete”, ka nxjerrë shumë figura të shquara, por Ksenofon Krisafi është padyshim një nga emblemat më të ndritura të saj. Ai u diplomua si jurist në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit të Tiranës në vitin 1969, në një kohë kur studimi i së drejtës kërkonte jo vetëm talent dhe përkushtim, por edhe guxim intelektual. Që herët spikati si një student i shkëlqyer dhe si një intelektual me horizont të gjerë kulturor. Në vitin 1993, fitoi gradën shkencore “Doktor”, duke kurorëzuar një rrugëtim të gjatë studimor dhe kërkimor. Karrierën profesionale e nisi si punonjës shkencor në Sektorin Shkencor të Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit të Tiranës, ku punoi për më shumë se 12 vjet. Ishin vite të rëndësishme formimi akademik dhe shkencor, gjatë të cilave ai krijoi bazat e një personaliteti universitar serioz, të disiplinuar dhe me standarde të larta profesionale. Më pas, për afro një dekadë, ai u angazhua pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, fillimisht si përgjegjës i Byrosë Juridike, më tej si jurist dhe më pas drejtor i Drejtorisë së Çështjeve Juridike, Konsullore dhe të Traktateve Ndërkombëtare. Pikërisht në këtë periudhë Prof. Krisafi do të shquhej si një nga ekspertët më të mirë shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare dhe diplomacisë juridike.

Një nga kontributet madhore…
Një nga kontributet më madhore të jetës së tij lidhet me çështjen e arit shqiptar të grabitur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Që nga viti 1986, kur ishte vetëm 39 vjeç, ai mori pjesë në të gjitha tryezat dhe negociatat që trajtonin këtë problem kaq delikat dhe historik për shtetin shqiptar. Prof. Krisafi ishte protagonist në procesin e kthimit të arit shqiptar dhe ka dokumentuar me seriozitet shkencor dhe historik gjithë të vërtetën në librin e tij “Në kërkim të arit”, një vepër me vlera të jashtëzakonshme historike dhe juridike. Veprimtaria e tij diplomatike kulmoi në vitet 1998–2002, kur ai shërbeu si ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Tregtisë në Gjenevë. Në këtë detyrë ai përfaqësoi me dinjitet shtetin shqiptar në dhjetëra konferenca ndërkombëtare, samite dhe negociata shumëpalëshe. Ishte një periudhë vendimtare për Shqipërinë dhe rajonin, sidomos për çështjen e Kosovës, ku Prof. Krisafi dha një kontribut të rëndësishëm diplomatik dhe intelektual në mbështetje të së drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ai është ndër zërat më autoritarë shqiptarë në fushën e së drejtës ndërkombëtare publike. Që prej vitit 1971 e deri më sot, Prof. Krisafi ka qenë lektor i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në degën e Gazetarisë, si dhe në programet pasuniversitare të diplomacisë dhe tregtisë së jashtme. Breza të tërë studentësh e njohin si një pedagog rigoroz, por jashtëzakonisht të drejtë dhe frymëzues.

Kurrikula e tij akademike është mbresëlënëse.
Në vitet 1997–1998 ai drejtoi Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës si dekan, ndërsa në vitin 2004 fitoi titullin “Profesor”. Më pas iu akordua titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Sanctii Cirili i Maltës, një vlerësim ndërkombëtar për kontributin e tij në shkencën juridike dhe diplomaci. Prof. Krisafi ka mbajtur leksione dhe referime në universitete prestigjioze botërore si Sorbona në Paris, Universiteti i Gjenevës, La Sapienza e Romës, universitetet e Barit, Sasarit dhe Foggias në Itali, Universiteti Katolik i Luvenit në Belgjikë, Universiteti Aristotelius i Selanikut, Pantioni i Athinës, Universiteti i Upsalës në Suedi, Universiteti i Prishtinës e shumë institucione të tjera akademike ndërkombëtare. Kudo ka përfaqësuar denjësisht shkollën juridike shqiptare dhe kulturën akademike të vendit tonë.
Veprimtaria e tij kërkimore dhe botuese është jashtëzakonisht e pasur. Ai ka botuar libra, tekste universitare, studime dhe qindra artikuj shkencorë e publicistikë. Ndër veprat më të rëndësishme të tij përmenden: “Në kërkim të arit”, “Diplomaci pas lufte”, “Për tokën dhe detin e Shqipërisë”, “Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike”, “Në Gjenevë për Kosovën”, “E drejta e organizatave ndërkombëtare”, “Amerika dhe rendi i sotëm botëror”, si dhe shumë botime të tjera në bashkautorësi.

Kontributi specifik
Një tjetër kontribut madhor i tij lidhet me mbrojtjen e kufirit detar të Shqipërisë në raport me Greqinë. Prof. Krisafi ishte ndër interlokutorët më të fortë dhe më të argumentuar në debatin publik e juridik për këtë çështje. Ai ka shkruar vazhdimisht në shtypin shqiptar dhe ka dhënë intervista të shumta televizive, duke mbrojtur me argumente juridike të drejtat sovrane të Shqipërisë. Përveç veprimtarisë akademike dhe diplomatike, Prof. Krisafi ka mbajtur edhe detyra të rëndësishme shtetërore dhe institucionale. Në periudhën 2002–2005 ai shërbeu pranë Këshillit të Ministrave si Sekretar i Përgjithshëm dhe këshilltar diplomatik i Kryeministrit. Ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, anëtar dhe Drejtor Ekzekutiv i Komisionit të Letrave me Vlerë, si dhe dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Europian të Tiranës dhe në universitete të tjera prestigjioze private. Ai ka qenë pjesë e një sërë bordesh dhe organizmash kombëtare e ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e institucioneve demokratike, kulturës juridike dhe integrimit europian të Shqipërisë. Po ashtu është anëtar themelues dhe presidenti i parë i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Prof. Krisafi flet frëngjisht, anglisht, rusisht dhe italisht, një dëshmi tjetër e kulturës së tij të gjerë dhe e përmasës ndërkombëtare të personalitetit të tij.

Njeri me kulturë të rrallë qytetare
Por mbi të gjitha, ai mbetet një njeri me kulturë të rrallë qytetare. I qetë, i komunikueshëm, elokuent dhe fisnik në debat, ai është ndër ata intelektualë që të imponojnë respekt jo me zë të lartë, por me dijen, argumentin dhe integritetin moral. Për kontributet e tij të mëdha është dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me medaljen “10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës”, si dhe me tituj të shumtë nderi si “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”, “Personalitet i Shquar i Labërisë”, “Mirënjohja e Lunxhërisë”, “Mirënjohja e Çamërisë”, “Mirënjohja e Mallakastrës” e shumë të tjera. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi është një personalitet që e ka jetuar jetën në shërbim të dijes, të së drejtës, të diplomacisë dhe të Shqipërisë. Ai është një nga ato figura që e bëjnë një komb të ndihet krenar. Ndaj, vlerësimi për të nuk është thjesht një nderim për një individ, por një respekt për vetë inteligjencën shqiptare, për kulturën dhe për dinjitetin kombëtar. Por, përtej të gjitha titujve, detyrave të larta shtetërore, librave dhe vlerësimeve kombëtare e ndërkombëtare, Prof. Dr. Ksenofon Krisafin e bën vërtet të madh dimensioni i tij njerëzor. Një nga tiparet themelore të personalitetit të tij është qetësia. Ai nuk është njeri i zhurmës dhe i protagonizmit artificial. Në çdo debat, në çdo tryezë akademike apo diplomatike, ai imponon respekt me urtësinë, logjikën dhe maturinë e tij. Ka një qetësi aristokratike në komunikim, që buron nga kultura, vetëbesimi dhe përvoja e gjatë jetësore.

Atdhedashuria e tij e palëkundur.
Një nga tiparet më të spikatura dhe më fisnike të Prof. Dr. Ksenofon Krisafit është atdhedashuria e tij e palëkundur. Ai i përket asaj kategorie të rrallë intelektualësh shqiptarë që nuk kanë bërë kurrë kompromis kur janë prekur interesat kombëtare të Shqipërisë. Për të, çështja kombëtare nuk ka qenë slogan apo retorikë patriotike, por një përgjegjësi e lartë morale, qytetare dhe profesionale. Prof. Krisafi e ka dëshmuar këtë në mënyrë konkrete gjatë gjithë jetës së tij publike dhe akademike. Ai ka qenë ndër zërat më të fortë dhe më të argumentuar në mbrojtje të interesave shqiptare për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Në artikujt, analizat dhe intervistat e shumta, ai flet gjithmonë me gjuhën e ligjit, të dokumentit dhe të së vërtetës, pa iu nënshtruar asnjë presioni apo interesi të çastit. Po kaq i madh ka qenë edhe kontributi i tij për çështjen e Kosovës. Në periudhat më të vështira për popullin e Kosovës, Prof. Krisafi ishte ndër intelektualët dhe diplomatët shqiptarë që përdori dijen, autoritetin akademik dhe përvojën diplomatike për të mbrojtur të drejtën legjitime të Kosovës për liri, dinjitet dhe pavarësi. Si ambasador pranë OKB-së në Gjenevë, ai dha një kontribut të rëndësishëm në sensibilizimin ndërkombëtar për dramën e Kosovës dhe për të drejtën e shqiptarëve të saj. Librat dhe analizat e tij mbi këtë çështje mbeten sot dokumente me vlerë historike dhe diplomatike.

Një mik me vlera të rralla shoqërore dhe njerëzore.
Por mbi të gjitha, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi është një mik me vlera të rralla njerëzore. Miqësia për të mbetet investimi më i madh dhe i bukur në jetë. Në një kohë kur marrëdhëniet njerëzore shpesh bëhen formale dhe të ftohta, ai mbetet njeri i besimit, i respektit dhe i fisnikërisë në miqësi. Tek ai gjen gjithmonë sinqeritet, korrektësi, mirësi dhe gatishmëri për të ndihmuar me këshillë, me mendim dhe me përvojë. Është nder të kesh mik Ksenofon Krisafin. Jo vetëm për dijen dhe emrin e tij të madh, por sepse ai di të ruajë vlerat njerëzore me një thjeshtësi të admirueshme. Në çdo bisedë me të ndjen kulturën e thellë, qetësinë, respektin për tjetrin dhe dashurinë njerëzore që e karakterizon. Ai nuk i sheh njerëzit nga pozitat apo interesat, por nga vlerat që mbartin. Miqësia me Prof. Krisafin është një pasuri shpirtërore dhe intelektuale. Ai është nga ata njerëz që të motivojnë të bëhesh më i mirë, më i ditur dhe më i përgjegjshëm ndaj vetes dhe shoqërisë. Prandaj respekti për të nuk buron vetëm nga karriera e tij e jashtëzakonshme, por edhe nga karakteri fisnik dhe nga njerëzorja që ai përcjell kudo. Figura të tilla i japin kuptim fjalës intelektual dhe nderojnë vetë miqësinë. Në kohë të vështira për kombin, Shqipëria ka pasur nevojë për intelektualë që të dinë të mbrojnë interesin kombëtar me argumente dhe dinjitet. Prof. Dr. Ksenofon Krisafi është një nga ata personalitete që e ka bërë këtë me konsekuencë gjatë gjithë jetës së tij. Prof. Ksenofon Krisafi vazhdon ende të ecë përpara, me të njëjtën energji, urtësi dhe përkushtim ndaj atdheut dhe dijes duke sfiduar moshën.

Familje me rrënjë atdhetare

Kur e pyet në bisedë, Ksenofon Krisafi ndalet me respekt dhe mall te rrënjët e familjes së tij, një familje e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe idealet e lirisë. Ai kujton se i ati ishte partizan në radhët e forcave çlirimtare, ndërsa e ëma një aktiviste e njohur e LANÇ-it, e angazhuar në organizimin e grave antifashiste në krahinën e Lunxhërisë. “Familja ime,” – tregon ai, – “e jetoi luftën jo si spektatore, por si pjesëmarrëse aktive. Babai mori armët për lirinë e vendit, ndërsa nëna punoi pa u lodhur me gratë e zonës, duke organizuar mbështetjen për luftëtarët dhe duke përhapur frymën antifashiste.” Teksa flet për ato vite të vështira, Ksenofoni nxjerr me kujdes një fotografi të vjetër, të ruajtur si një relike e çmuar familjare. Është një foto bardhezi, e shkrepur më 17 nëntor 1944, ditën historike të çlirimit të Tiranës. “Kam një foto që e ruaj me shumë dashuri,” – thotë ai. – “Është bërë në ditën e çlirimit të Tiranës. Në atë ngjarje të madhe mori pjesë edhe Brigada e XII Sulmuese Partizane, ku shërbente im atë.” Në fotografi shfaqet babai i tij, krenar mes çlirimtarëve, ndërsa në krah ka vëllanë e vogël, Dhimitrin, vetëm 13 vjeç. Edhe pse në një moshë fare të njomë, ai kishte filluar të përballej me vështirësitë e jetës. Punonte në Tiranë si ndihmës furrxhi pranë vëllait të madh, duke kontribuar për mbijetesën e familjes në vitet e luftës. Për Ksenofon Krisafin, kjo fotografi nuk është thjesht një kujtim familjar. Ajo përfaqëson sakrificat e një brezi të tërë shqiptarësh që jetuan vitet më të vështira të historisë së vendit, por që nuk humbën besimin tek liria dhe e ardhmja. Në fytyrat e atyre njerëzve ai lexon ende sot dinjitetin, përkushtimin dhe idealizmin që i shoqëroi në rrugën drejt çlirimit. “Kjo foto më kujton jo vetëm babanë dhe xhaxhanë tim,” – thotë ai, – “por të gjithë ata burra e gra që sakrifikuan rininë e tyre për Shqipërinë. Është një dëshmi që historia nuk duhet harruar kurrë.”

Në gjurmët e prindërve

Familja e Ksenofon Krisafit ishte një familje e njohur për ndjenjat e saj atdhetare, fisnikërinë njerëzore dhe përkushtimin ndaj çështjeve kombëtare. Në atë vatër, dashuria për Shqipërinë nuk ishte thjesht një ndjenjë, por një mënyrë jetese. Atdheu ishte kryefjala e bisedave familjare, ndërsa sakrificat për lirinë dhe përparimin e vendit përbënin shembullin më të mirë të edukimit për brezin e ri. I rritur mes kujtimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, mes rrëfimeve të babait partizan dhe angazhimit shoqëror të nënës, Ksenofon Krisafi u formua me bindjen se shërbimi ndaj vendit është një detyrë e përhershme qytetare. Në familjen e tij u kultivuan vlerat e dijes, të punës së ndershme, të përgjegjësisë dhe të respektit për interesin publik. Kjo frymë po e shoqëron gjatë gjithë jetës. Dashuria për Shqipërinë, përkushtimi ndaj dijes dhe serioziteti në punë u bënë shtyllat mbi të cilat ai ndërtoi personalitetin dhe karrierën e tij. Në çdo detyrë që mbajti, në auditorët universitarë, në institucionet shtetërore, në veprimtarinë shkencore dhe juridike, ai u përpoq të mbetej besnik ndaj parimeve me të cilat ishte edukuar që në fëmijëri. Nuk është rastësi që emri i Ksenofon Krisafit gëzon respekt në qarqet akademike, juridike dhe qytetare. Ai po lë gjurmët e një intelektuali të përkushtuar, të një qytetari të ndërgjegjshëm dhe të një patrioti që e ka parë gjithmonë profesionin dhe dijen si mjete për t’i shërbyer vendit. Kudo ku ka punuar dhe kontribuon, ai po lë pas jo vetëm rezultate profesionale, por edhe shembullin e njeriut që e vendos interesin publik mbi atë personal, të intelektualit që nuk e harron origjinën dhe të qytetarit që mbetet i lidhur me idealet e familjes dhe të brezit që e formoi. Në këtë kuptim, jeta dhe veprimtaria e Ksenofon Krisafit janë vazhdimësi e natyrshme e traditës atdhetare të familjes së tij, një traditë ku dashuria për Shqipërinë, puna dhe dija kanë qenë gjithmonë vlerat më të çmuara.

Kontrolloni gjithashtu

Refik Kryeziu: BALË GECI – (1855 – 1948) PATRIOT I ÇËSHTJES KOMBËTARE

Balë Geci (12.VI.1855 – 21.XII.1948) i lindur në Roganë të Dardanës. Babai Selimi dhe nëna …