Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se çdo ndërhyrje ligjore që prek Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet me kujdes të madh dhe mbi bazën e ekspertizës juridike. Duke folur për projektligjin e propozuar nga PDK-ja për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Gërvalla tha se ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë tashmë po e analizojnë atë. Projektligji është dërguar në Qeveri për mendim pas procedimit të tij në Kuvend. Ajo tha se pas përfundimit të analizës, ministria do t’ia përcjellë Qeverisë opinionin e saj, duke theksuar se procesi nuk do të vonohet, por as nuk duhet të zhvillohet me nxitim. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se për çështje që lidhen me shtetin, kushtetutshmërinë, historinë dhe të ardhmen e vendit nevojiten bashkëpunim, bashkërendim dhe analizë profesionale. “Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, është shprehur ajo.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
