Njëri nga njohësit më të mirë të demokracisë, ligjërues universitar në universitete elitare, përfshirë edhe atë të Harvardit, Giovanni Sartori ( 1924 – 2017 ) në mes tjerash na tërheq vërejtjen për rrezikun që mund t’i kanoset demokracisë. Në librin e tij “Ç ‘është demokracia?” ( Democrazia, cosa è – italisht – 1993 ) ai konstaton pasojat negative që sjell për demokracinë mbytja e mendimit të lirë. Lidhur me këtë, ai na tërheq vërejtjen se, nëse njeriu për një kohë të gjatë nuk guxon ta shfaqë mendimin e lirë për shkak të ndëshkimit apo pasojave, me kalimin e kohës ai nuk do të mendojë më ato gjëra për të cilat nuk guxon të shprehet.
Sot jemi me fat që, falë luftës dhe sakrificës së shumë brezave, shfaqja e mendimit të lirë dhe kritika ndaj pushtetit nuk ndëshkohen më me vrasje, varje në litar, djegie në turrën e druve apo burgosje. Por ekziston një ndëshkim tjetër – sulmet, sharjet dhe fyerjet në rrjetet sociale, deri te shpallja tradhtar. Disa shkojnë edhe më tej, me kërcënime me jetë apo me shprehje të tipit: “Ke me i ra pishman që ke lindur!”. Mirëpo, këto trimëri zgjasin derisa përballesh me këta “trimosha” të Facebook-ut, sepse më pas ulin kokën dhe u mbyllet goja. E nëse u thua: “Fol tash!”, ata të përgjigjen menjëherë: “A po më kërcënon?”, duke luajtur në mënyrë të mahnitshme rolin e viktimës.
Por në këtë rast, shqetësuese është heshtja e shtetit, i cili funksionon falë taksave të qytetarëve, edhe të atyre që e kritikojnë. Të pretendosh se ke ndërtuar shtet ligjor, por të bëhesh shurdhmemec e i verbër kur sulmohen, fyhen dhe baltosen vlerat më të mëdha të kombit dhe bartësit e tyre, është shembull tipik i hipokrizisë.
Si bëhet që, në njërën anë, përulemi para familjes Jashari, por nuk bëjmë asgjë kur anëtarë të kësaj familjeje fyhen në mënyrën më të ulët?
Si bëhet që me të drejtë krenohemi me Epopenë e Dukagjinit, ndërkohë që bëhemi shurdhmemecë kur anëtarë të kësaj familjeje baltosen, etiketohen dhe shahen në mënyrën më të ulët?
Nëse kjo frymë nuk ndalet, hapat e ardhshëm do të jenë të pashmangshëm. Do të vijë dita kur dëshmorët e kombit do të diskriminohen dhe margjinalizohen deri në atë masë sa nëpër akademitë përkujtimore as emri nuk do t’u përmendet, e lëre më të nderohen me ndonjë fotografi apo poezi.
Kjo, në një masë, ka filluar të ndodhë, por për këtë shëmti do të flasim një herë tjetër.
Kjo, në një masë, ka filluar të ndodhë, por për këtë shëmti do të flasim një herë tjetër.
Uroj të këndellemi para se të bëhet shumë vonë!!!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
