Wolfgang Petritsch: Kurti nuk po arrin të ndërtojë dialog as brenda Kosovës e as me Serbinë

Ish-kryenegociatori i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch, ka vlerësuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si politikani më i fuqishëm në vend, mban përgjegjësinë më të madhe për tejkalimin e krizës politike dhe avancimin e dialogut me Serbinë. Petritsch tha se, ndonëse e konsideron Kurtin një politikan të aftë dhe inteligjent, atij i mungon aftësia për të ndërtuar komunikim konstruktiv si me kundërshtarët politikë në Kosovë, ashtu edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić. Sipas tij, mungesa e dialogut dhe kompromisit politik po e mban vendin në një gjendje bllokade institucionale dhe po pengon zbatimin e reformave të nevojshme. Petritsch kritikoi gjithashtu klasën politike kosovare për polarizimin e vazhdueshëm, duke theksuar se demokracia humbet kuptimin e saj kur zgjedhjet përsëriten për interesa partiake, ndërsa institucionet mbeten të paralizuara. Ai paralajmëroi se partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë po e shohin gjithnjë e më shumë Kosovën si një problem të pazgjidhur, në vend se si një histori suksesi demokratik. Sipas tij, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian nuk mund të ketë sukses pa vullnet politik nga të dyja palët, ndërsa Kosova duhet të tregojë më shumë iniciativë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe në integrimin e komunitetit serb, nëse synon të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të përshpejtojë rrugën drejt integrimit evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi: Edi Rama faleminderit që mbrojte të vërtetën e UÇK-së kur të tjerët heshtën

Endrit Thaçi është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin ka …