Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se mungesa e një marrëveshjeje të përbashkët mes partive opozitare po i mundëson Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të vazhdojnë zbatimin e agjendës së tyre politike. Haradinaj ka deklaruar se opozita do të mund të luante rol vendimtar në zhvillimet politike në vend vetëm nëse arrin të krijojë një kontratë të përbashkët politike, të shoqëruar me një plan konkret dhe një kandidat të përbashkët për president. Sipas tij, përçarja aktuale e partive opozitare ka bërë që Kosova të vazhdojë të udhëhiqet nga politikat e Vetëvendosjes, ndërsa paralajmëroi se situata mund të çojë sërish në zgjedhje të reja. Ai theksoi se një bashkëpunim ndërmjet AAK-së, LDK dhe PDK do të krijonte mundësi për të ndikuar në drejtimin politik të vendit dhe në procesin e zgjedhjes së presidentit. Duke folur për mundësinë e kandidimit për president, Haradinaj tha se nuk është kandidat dhe nuk ka paraqitur kërkesa për këtë pozitë, por shtoi se do të shqyrtonte një propozim të tillë nëse do të mbështetej nga opozita. Ai ritheksoi se AAK-ja nuk do të bëhet pjesë e një qeverisjeje të udhëhequr nga Kurti, të cilën e konsideron të dëmshme për Kosovën. Sipas Haradinajt, vetëm një opozitë e bashkuar mund të krijojë alternativë politike dhe të ndikojë në ndryshimin e zhvillimeve aktuale në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
