Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj deklaratës së Ramush Haradinajt për gatishmërinë e tij që të kandidojë për president, në rast se do të propozohej nga partitë opozitare. Nagavci e ka cilësuar si të pakuptimtë kërkesën për mbështetje për postin e presidentit nga persona që, sipas saj, kanë përdorur deklarata të pamatura dhe të pabazuara. “Është për mua personalisht pak absurde që një person, cili do qoftë ai, i cili ka folur fjalë të pamatura, gjëra të cilat i dinë edhe vetë që nuk qëndrojnë, tashmë të kërkojë që të marrë mbështetje”, është shprehur ajo. Ajo ka theksuar se Kosova ka figura të shumta me integritet dhe kredibilitet për të ushtruar detyrën e presidentit, duke nënvizuar nevojën për një qasje konsensuale në tejkalimin e krizës politike. Sipas Nagavcit, prioritet duhet të jenë institucionet dhe funksionimi i tyre, ndërsa ambiciet personale duhet të lihen mënjanë për të arritur një zgjidhje që i shërben vendit. Ajo shtoi se Lëvizja Vetëvendosje pret që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë jopartiake, gjithëpërfshirëse dhe unifikuese për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
