AAK vendos kushte për mbështetjen e institucioneve të reja: Gazi amerikan, lehtësime fiskale dhe investime në infrastrukturë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur formimin e institucioneve të reja, por vetëm nëse përmbushen disa kërkesa që, sipas saj, janë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe interesit qytetar. Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se partia e tij nuk synon të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, por ka paraqitur një sërë kushtesh për mbështetjen e saj në procesin e krijimit të institucioneve. Sipas Gjinit, institucionet e reja duhet të konfirmojnë qartë orientimin strategjik të Kosovës dhe të procedojnë pa vonesë me projektin e gazit amerikan. Ai ka kërkuar gjithashtu rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, heqjen e tatimit në pronë për tokat e punuara dhe sigurimin e financimit të plotë për projektet kryesore infrastrukturore në vend. Në këtë kuadër, Gjini ka përmendur ndërtimin e rrugëve drejt Gjilanit, Pejës, Gjakovës dhe Podujevës, duke vlerësuar se mungesa e buxhetimit të plotë po pengon realizimin e tyre. Ai ka kërkuar po ashtu një angazhim të veçantë për Prishtinën, duke propozuar investime prej 800 milionë deri në 1 miliard euro gjatë pesë viteve të ardhshme, me arsyetimin se kryeqyteti po përballet me probleme serioze të jetueshmërisë. “Institucionet e reja duhet ta pranojnë menjëherë projektin e gazit amerikan, të rrisin pragun e TVSH-së, të lirojnë tokat e punuara nga tatimi në pronë dhe të sigurojnë financim të plotë për infrastrukturën jetike të vendit”, ka deklaruar Gjini.

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria vazhdon ta zvarrisë gazin amerikan, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së

Qeveria e Kosovës po vazhdon ta zvarrisë një vendim strategjik për energjinë, pavarësisht thirrjeve të …