Pas përfundimit të mandatit të shefit të deritanishëm të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, misioni evropian ka njoftuar se drejtimin e përkohshëm do ta marrë zëvendësja e tij, Emily Rakhorst. Sipas njoftimit zyrtar, Rakhorst do të ushtrojë detyrën e shefes së EULEX-it deri në emërimin e drejtuesit të ri të misionit. EULEX ka ftuar qytetarët që për informacione dhe aktivitetet e misionit të ndjekin llogarinë zyrtare të ushtrueses së detyrës në rrjetin social X. Ndryshimi në krye të misionit vjen pas përfundimit të mandatit trevjeçar të Giovanni Pietro Barbanos, i cili të enjten u përshëndet me Kosovën përmes një mesazhi falënderues. “Teksa i them lamtumirë Kosovës, ndiej mirënjohje të thellë për këto tri vite. Shërbimi si shef i EULEX-it ishte një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës sime profesionale. Largohem me miqësi të shumta dhe kujtime të paharrueshme. Faleminderit, Kosovë! Ju uroj një të ardhme të ndritur dhe të suksesshme”, ka deklaruar Barbano. Emily Rakhorst do të udhëheqë misionin deri në marrjen e vendimit për emërimin e shefit të ri të EULEX-it.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
