Paneli i Gjykatës Supreme të gjykatës speciale në Hagë ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga Pjetër Shala, e cila kishte të bënte me vendimin për zhdëmtimin e viktimave. Vendimi është marrë më 25 qershor 2026 nga paneli i përbërë nga kryegjykatësja Ekaterina Trendafilova dhe gjykatësit Kristinë van den Wyngaert dhe Daniel Fransen. Në kërkesën e tij, Shala kishte pretenduar se Paneli i Apelit kishte bërë shkelje gjatë shqyrtimit të ankesës së mbrojtjes kundër Urdhrit për Zhdëmtime, të lëshuar më 29 janar 2026. Megjithatë, Paneli i Gjykatës Supreme i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e paraqitura, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të Apelit dhe urdhrin për kompensimin e viktimave. Ndërkohë, Shala ka ndërmarrë edhe veprime të tjera juridike. Ai i është drejtuar Dhomës Kushtetuese të gjykatës speciale në Hagë duke pretenduar se gjatë procesit penal i janë shkelur të drejtat themelore. Po ashtu, ai pret vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me pranueshmërinë e kërkesës së tij kundër gjykatës speciale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
