195 milionë euro drejt Shqipërisë, AKB: Kosova po mban gjallë turizmin shqiptar, ndërsa bregdeti vendor mbetet në hije

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë konsumatorët dhe investitorët më të mëdhenj të turizmit në Shqipëri, duke shpenzuar rreth 195 milionë euro vetëm gjatë fundjavave në sezonin turistik maj – tetor 2026.

Sipas studimit të realizuar nga AKB gjatë periudhës 28 maj – 28 qershor 2026, mesatarisht rreth 25 mijë qytetarë nga Kosova kalojnë fundjavën në Shqipëri, ndërsa shpenzimet mesatare për person arrijnë në të paktën 300 euro për një qëndrim prej dy deri në tre netësh.

Në këto shpenzime përfshihen akomodimi, gastronomia, pijet, transporti, derivatet e naftës, taksa rrugore, argëtimi dhe blerjet. Bazuar në këto të dhëna, vetëm gjatë një fundjave në ekonominë shqiptare derdhen rreth 7.5 milionë euro nga qytetarët e Kosovës.

Duke llogaritur 26 fundjavat e sezonit turistik nga 1 maji deri më 30 tetor, AKB vlerëson se shpenzimet totale arrijnë në rreth 195 milionë euro, pa përfshirë pushimet më të gjata verore, çka e bën Kosovën tregun më të rëndësishëm për turizmin shqiptar.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se këto shifra dëshmojnë kontributin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Kosovës në ekonominë e Shqipërisë dhe ka bërë thirrje për politika të përbashkëta që do të thellonin bashkëpunimin ekonomik, investimet strategjike dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë.

Megjithatë, shifrat e publikuara hapin edhe debatin për mungesën e investimeve serioze në potencialet turistike brenda Kosovës, pasi qindra milionë euro vazhdojnë të derdhen çdo vit jashtë vendit, ndërsa shumë zona turistike vendore mbeten të pazhvilluara dhe pa mbështetjen e nevojshme institucionale.

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK-së: Ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në paraburgim prej gati gjashtë vitesh

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, e ka cilësuar procesin …