Sylë Ukshini: Rusia dhe Serbia po riprodhojnë në Kosovë skemat e vjetra të ndërhyrjes nga fillimi i shekullit XX

Analisti dhe diplomati Sylë Ukshini ka publikuar një analizë historike ku argumenton se bashkëpunimi ruso-serb në Kosovë nuk është një fenomen i ri, por vazhdimësi e një strategjie të ndërtuar që nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Duke iu referuar raporteve konsullore austro-hungareze, veçanërisht dokumenteve të konsullit Gottlieb Pára nga Shkupi në vitin 1901, Ukshini thekson se Rusia dhe Serbia kishin ndërtuar një mekanizëm të koordinuar politik, diplomatik dhe propagandistik për të rritur ndikimin e tyre në Vilajetin e Kosovës. Sipas tij, dokumentet dëshmojnë se çështjet e sigurisë, migrimit dhe të drejtave të komuniteteve fetare shfrytëzoheshin për të justifikuar ndërhyrje të jashtme dhe për të delegjitimuar shqiptarët si faktor politik në rajon. Ai veçon gjithashtu ndërhyrjet e diplomatëve rusë në veri të Kosovës së asaj kohe, të cilat sipas dokumenteve shkonin përtej rolit diplomatik dhe përfshinin mbledhjen e dëshmive, ndikimin te popullsia lokale dhe promovimin e interesave strategjike ruse e serbe. Sipas Ukshinit, raporti i vitit 1901 dëshmon se propaganda, dezinformimi dhe instrumentalizimi i tensioneve etnike kanë qenë pjesë e një strategjie afatgjatë në Ballkan. Ukshini thekson se sfidat aktuale të Kosovës duhet të analizohen edhe në kontekstin historik, pasi shumë nga narrativat dhe qasjet që shfaqen sot, janë vazhdimësi e politikave hegjemoniste serbe të mbështetura tradicionalisht nga Rusia. Ai vlerëson se kuptimi i këtyre proceseve historike është thelbësor për të kuptuar tensionet aktuale dhe pozitën gjeopolitike të Kosovës në Ballkanin Perëndimor.

Kontrolloni gjithashtu

195 milionë euro drejt Shqipërisë, AKB: Kosova po mban gjallë turizmin shqiptar, ndërsa bregdeti vendor mbetet në hije

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të …