Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha mbron shqiptarët e Luginës: Fyerjet dhe nënçmimi ndaj tyre janë të papranueshme

Opinionisti politik Sadik Halitjaha ka reaguar në mbështetje të ish-deputetit të Luginës së Preshevës, Refik Hasani, duke dënuar ashpër, sipas tij, fyerjet dhe nënçmimet e drejtuara ndaj shqiptarëve të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës nga Blerim Isufaj. Në një shkrim publik, Halitjaha ka vlerësuar reagimin e Hasanit si të drejtë, duke theksuar se shqiptarët e Luginës kanë dëshmuar ndër vite rezistencë, patriotizëm dhe angazhim të vazhdueshëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre kombëtare dhe qytetare. Ai ka përmendur referendumin e shqiptarëve të Kosovës Lindore për bashkim me Kosovën, luftën e UÇPMB-së, Marrëveshjen e Konçulit, si dhe protestat dhe aktivitetet e shumta politike në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë, si dëshmi të përkushtimit dhe qëndresës së tyre. Lugina e Preshevës ka një histori të gjatë sakrificash dhe rezistence, duke rikujtuar edhe dëbimin e shqiptarëve nga Toplica gjatë viteve 1876–1878. Ai vlerëson se shqiptarët e atij rajoni kanë qenë dhe mbeten një faktor i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të trojeve shqiptare. Ai ngre shqetësimin për, siç thotë ai, zbrazjen e vazhdueshme të Luginës përmes pasivizimit të adresave, mungesës së të drejtave elementare dhe diskriminimit në arsim, punësim dhe njohjen e diplomave, duke kërkuar një angazhim më të madh institucional nga Kosova dhe Shqipëria për mbrojtjen e bashkëkombësve në Serbi. Halitjaha u bën thirrje shqiptarëve për unitet kombëtar dhe mbështetje ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa shpreh respekt për Refik Hasanin, të cilin e cilëson si një nga zërat e rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në atë pjesë të trojeve shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Gazmend Syla OVL-UÇK pret pjesëmarrje masive në protestën e Kroacisë

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se pret …