Kosova mbetet në pritje, Irlanda nuk premton hapa konkretë për anëtarësimin në BE

Kosova vazhdon të mbetet jashtë prioriteteve konkrete të zgjerimit të Bashkimit Evropian, edhe pas marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së nga Irlanda. Edhe pse Dublini e ka vendosur zgjerimin mes objektivave kryesore të mandatit gjashtëmujor, në programin e tij nuk ka asnjë referencë të veçantë për Kosovën. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Presidenca irlandeze ritheksoi mbështetjen për përparimin e të gjitha vendeve kandidate dhe kandidate potenciale, përfshirë Kosovën, por theksoi se çdo avancim do të varet nga përmbushja e kushteve dhe zbatimi i reformave të nevojshme. Njohësit e procesit të integrimit evropian vlerësojnë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit mes vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht pesë shteteve që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas analistëve, përveç mungesës së pajtimit brenda BE-së, pengesë mbetet edhe stagnimi i dialogut me Serbinë, si dhe kriza politike e brendshme në Kosovë. Ata vlerësojnë se Irlanda ka hapësirë të kufizuar për të ndryshuar këtë situatë gjatë presidencës së saj. Ndërkohë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi dhe Shqipëria, kanë shënuar përparim në procesin e negociatave me BE-në, ndërsa Kosova mbetet i vetmi shtet i rajonit që ende nuk ka fituar statusin e vendit kandidat.

Kontrolloni gjithashtu

Ankaraja pret Samitin e NATO-s, në fokus mbrojtja dhe Ukraina

Ankaraja do të jetë më 7 dhe 8 korrik nikoqire e Samitit të NATO-s 2026, …