Fermerët dhe prodhuesit e qumështit kanë protestuar të dielën para Ministrisë së Bujqësisë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj situatës së krijuar pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit. Në shenjë revolte, ata kanë derdhur qumësht para objektit të ministrisë, ndërsa me traktorë dhe makineri bujqësore kanë bllokuar hapësirën përreth institucionit. Protesta u organizua pasi, sipas fermerëve, grumbullimi i qumështit u ndërpre pas kontrolleve të kryera nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në fabrikën e qumështit “Vita”. Ata kërkojnë publikimin e menjëhershëm të rezultateve të analizave dhe rifillimin e grumbullimit të qumështit. Me pankarta si “Mos na lini pa bukë”, “Mos prekni vendet e punës” dhe “Mos e dobësoni industrinë vendore”, protestuesit kërkuan mbështetje për prodhuesit vendorë dhe masa kundër importeve të qumështit me çmime, sipas tyre, të subvencionuara nga vendet e rajonit. Përfaqësuesi i Shoqatës së Qumështorëve, Fidan Krasniqi, tha: “Kërkojmë që grumbullimi i qumështit të rifillojë menjëherë. Prodhuesit vendorë po përballen me një situatë të rëndë, ndërsa në treg vazhdojnë të hyjnë produkte të importuara me çmime të subvencionuara. Lopët nuk janë çezmë që mund të ndalen kur të duam. Fermerët kanë kredi dhe familje për të mbajtur”, deklaroi Krasniqi. Prodhuesit kërkuan takim urgjent me institucionet dhe zgjidhje të menjëhershme të krizës, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë reagimet nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
