Sqarim nga Radio Kosova e Lirë

Drejtoria e Radios Kosova e Lirë njofton opinionin publik se nuk është dhe nuk ka qenë pjesë e asnjë organizimi politik, fetar apo të çfarëdo natyre tjetër jashtë misionit të saj informues dhe atdhetar.

Njëherësh, sqarojmë se z. Nusret Pllana, që nga qershori i vitit 1999, nuk është dhe nuk ka qenë pjesë e stafit të Radios Kosova e Lirë. Çdo paraqitje që synon ta identifikojë atë si përfaqësues të Radios Kosova e Lirë apo si zë të institucionit tonë është e pavërtetë dhe nuk përfaqëson qëndrimet e Radios Kosova e Lirë.

Po ashtu, bunkeri i njohur si vendi prej nga ka transmetuar Radio Kosova e Lirë gjatë luftës, i cili është shpallur aset i trashëgimisë kulturore nga AMMKM, aktualisht administrohet në mënyrë private nga Nusret Pllana dhe disa ish-anëtarë të stafit. Përmes veprimeve të tyre është tentuar të krijohet një narrativë që nuk pasqyron të vërtetën historike dhe që, në shumë raste, i shërben interesave personale dhe interpretimeve të njëanshme të historisë.

Gjithashtu, informojmë opinionin se në atë bunker nuk ndodhet asnjë nga pajisjet origjinale transmetuese të përdorura gjatë luftës. Pajisjet që ekspozohen aty janë imitime dhe nuk përbëjnë inventarin autentik të Radios Kosova e Lirë. Të gjitha pajisjet origjinale, me të cilat Radio Kosova e Lirë ka funksionuar gjatë dhe pas luftës, janë të konservuara, të dokumentuara dhe të ruajtura në Muzeun e Radios Kosova e Lirë, si dëshmi autentike e veprimtarisë së saj.

Radio Kosova e Lirë vlerëson dhe respekton kontributin e secilit që ka shërbyer gjatë luftës çlirimtare. Mirëpo, askush nuk ka të drejtë ta privatizojë historinë, ta monopolizojë sakrificën kolektive apo ta paraqesë veten si figurën qendrore pa të cilën, gjoja, Radio Kosova e Lirë apo edhe vetë lufta nuk do të kishin ekzistuar. Historia nuk ndërtohet mbi vetëlavdërime, por mbi fakte, dokumente, dëshmi dhe kontributin e përbashkët të të gjithë atyre që i shërbyen lirisë.

Për këtë arsye, çdo përpjekje për deformimin e së vërtetës historike, për përvetësimin e trashëgimisë institucionale të Radios Kosova e Lirë apo për zbehjen e kontributit të dhjetëra gazetarëve, teknikëve, korrespondentëve dhe veprimtarëve të saj, është e papranueshme dhe bie ndesh me faktet historike.

Kontrolloni gjithashtu

IKD: Kriza politike ka lënë dhjetëra institucione me mandate të skaduara dhe pozita të paplotësuara

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ngritur alarmin se dhjetëra institucione dhe agjenci të pavarura …