OVL-UÇK alarmon pas publikimit të listave në Serbi: Ish-luftëtarët të mos kalojnë në territorin serb

Publikimi i listave me emra dhe të dhëna personale të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga një lëvizje nacionaliste serbe ka nxitur reagime në Kosovë, në një periudhë kur vazhdojnë arrestimet e shqiptarëve nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte. Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fatmir Sopi, ka deklaruar se Serbia prej vitesh mban lista të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe se kjo nuk përbën ndonjë zhvillim të ri.  Serbia vazhdimisht ka kërkuar arrestimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së, veçanërisht të drejtuesve të saj, duke rikujtuar se Kosova dhe Serbia kanë qenë palë në luftë, ku UÇK-ja zhvilloi luftë çlirimtare, ndërsa Serbia, sipas tij, luftë pushtuese. Sopi e cilësoi të panevojshëm publikimin e këtyre listave në rrethanat aktuale, duke theksuar se ato bien ndesh me deklarimet për normalizim dhe paqe. Ai kritikoi edhe retorikën e zyrtarëve serbë, duke përmendur deklaratat e fundit të një ministreje serbe lidhur me Kosovën. Duke folur për sigurinë e qytetarëve, nënkryetari i OVL-UÇK-së u bëri thirrje të gjithë ish-pjesëtarëve të UÇK-së që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë. “Ne u kemi bërë vazhdimisht apel pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në asnjë mënyrë të mos kalojnë nëpër territorin e Serbisë, pasi mund të përballen me arrestime, kërcënime, e madje edhe me pasoja të rënda”, deklaroi Sopi. Në fund, Sopi kërkoi angazhim më të madh të institucioneve të Kosovës dhe diplomacisë së vendit, duke bërë thirrje që çështja të ngrihet në organizatat ndërkombëtare dhe te shtetet partnere

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti ngushëllon familjen Tërnava: Dhimbja e tyre është dhimbja e gjithë shoqërisë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka shprehur ngushëllimet e tij për …