Lutfi Haziri: Delegatët të mos hyjnë në beteja që nuk janë të tyre, vendimin për Abdixhikun ta japë Kuvendi

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, u ka bërë thirrje delegatëve të partisë që të mos përfshihen në përplasjet e brendshme politike në prag të Kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor. Përmes një reagimi në Facebook, Haziri tha se çështja e votëbesimit ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duhet të zgjidhet nga delegatët në kutinë e votimit dhe jo përmes polemikave publike. Ai kritikoi pozicionimet e shumta brenda partisë, duke theksuar se ato po i shkaktojnë dëm LDK-së dhe po e largojnë vëmendjen nga rivalët politikë. “Mos hyni në beteja që nuk janë tuajat”, shkroi Haziri, duke shtuar se nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit tashmë janë dorëzuar dhe se debatet e ashpra, statuset e shumta në rrjetet sociale dhe thirrjet për protesta vetëm sa po e gërryejnë besimin e anëtarësisë. Haziri vlerësoi se është më mirë të pranohen gabimet e së kaluarës sesa të vazhdohet me to, duke theksuar se LDK-ja ka arritur sukseset më të mëdha kur ka qenë e bashkuar. Një grup i të pakënaqurve në LDK ka dorëzuar nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, me synim shkarkimin e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit. Nga LDK-ja kanë bërë të ditur se data e mbajtjes së Kuvendit pritet të caktohet së shpejti. Ndërkohë, Lumir Abdixhiku ka pezulluar bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm qeverisës.

Kontrolloni gjithashtu

Agron Kuçi: Komuna e Junikut nuk e ka asnjë person të infektuar pasi janë respektuar të gjitha masat nga ana e qytetarëve

Agron Kuçi: Asnjë lider nuk e forcon partinë duke anashkaluar njerëzit me kredibilitet

Ish-kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, ka theksuar se partitë politike mund ta fitojnë …