Albin Kurti hesht për negociatat me LDK-në

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse është duke pritur që Lidhja Demokratike e Kosovës ta mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm para vazhdimit të bisedimeve për formimin e institucioneve të reja. Kurti u pyet për këtë çështje pas një ceremonie në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, por zgjodhi të mos komentojë zhvillimet politike. Një javë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi pezullimin e angazhimeve për formimin e institucioneve, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë. Sipas raportimeve të mëhershme të KOHËS, në një takim mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit ishte arritur një dakordim në parim për formimin e institucioneve dhe ndarjen e përgjegjësive. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se LDK-ja do të përfshihej në koalicionin qeverisës me postin e zëvendëskryeministrit të parë, tri ministri dhe kryetarin e Kuvendit, ndërsa pozita e presidentit do t’i takonte Lëvizjes Vetëvendosje.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Vendimi i GJND-së vulosi shtetësinë e Kosovës dhe të drejtën e fituar me luftën çlirimtare

Ish Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 22 korrikun, ditën …